Presidenti i Federatës Hungareze të Futbollit dhe nënkryetari i FIFA-s, Sándor Csányi, ka kritikuar ashpër presidentin e organizatës, Gianni Infantino, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si ai po drejton institucionin më të lartë të futbollit botëror.
Sipas The Guardian, Csányi i ka dërguar një letër Infantinos, në të cilën shprehet se ka humbur besimin që më parë kishte tek presidenti i FIFA-s.
Zyrtari hungarez ka ngritur shqetësime lidhur me vendimet profesionale, standardet etike dhe cilësitë drejtuese të Infantinos. Ai ka lënë të kuptohet se presidenti i FIFA-s është larguar nga parimet që më parë kishin shërbyer si bazë e bashkëpunimit mes tyre.
“Kam humbur besimin që më parë ju kisha dhënë”, mësohet të ketë shkruar Csányi në letrën drejtuar Infantinos.
Ai ka vijuar kritikën duke deklaruar se besimi i tij në aftësinë e Infantinos për të drejtuar FIFA-n është dëmtuar.
“Besimi im në aftësinë tuaj për të udhëhequr me sukses dhe në mënyrë efektive FIFA-n në përputhje me vlerat e përbashkëta që më parë formonin bazën e bashkëpunimit tonë është minuar”, thuhet në letër.
Deklaratat e Csányit përbëjnë një kritikë të pazakontë dhe jashtëzakonisht të drejtpërdrejtë ndaj Infantinos, veçanërisht për shkak të pozitës së hungarezit si një nga nënkryetarët e FIFA-s.
Përplasja mes dy zyrtarëve të lartë vë në qendër të vëmendjes mënyrën e drejtimit të FIFA-s dhe marrëdhëniet brenda strukturave drejtuese të organizatës.





