Hetimet për email-et kërcënuese që shkaktuan alarm për bombë në disa institucione të rëndësishme në vend kanë nxjerrë të dhëna të reja mbi origjinën e mesazheve.
Sipas burimeve paraprake, e njëjta përmbajtje kërcënuese është dërguar nga dy adresa të ndryshme email-i. Gjurmët e evidentuara deri në këtë fazë tregojnë se njëri prej mesazheve është nisur nga Argjentina, ndërsa tjetri nga Brazili.
Megjithatë, identifikimi i vendeve nga të cilat janë dërguar email-et nuk ka mjaftuar ende për të përcaktuar autorët e kërcënimeve.
Për hetuesit mbetet e paqartë nëse të dyja adresat janë përdorur nga i njëjti person apo nëse pas tyre qëndrojnë persona të ndryshëm.
Hetimet vijojnë për të zbuluar autorët e mesazheve dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një veprim të koordinuar.
Në fokus të hetuesve është pikërisht lidhja mes dy adresave dhe mënyra se si janë dërguar mesazhet, ndërsa pritet që veprimet e mëtejshme hetimore të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.





