Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kritikuar qeverinë për çmimin e lartë të naftës në Shqipëri, duke deklaruar se vendi ynë ka një prej çmimeve më të larta të karburanteve në rajon.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi kërkon ndërhyrjen e qeverisë përmes uljes së taksave, duke argumentuar se barra kryesore e rritjes së çmimit bie mbi qytetarët.
“Algoritmi i naftës dhe algoritmi i Edi Ramës”, e titullon Bardhi reagimin e tij, ndërsa akuzon kryeministrin se ka krijuar disa “algoritme” që, sipas tij, lidhen me mënyrën e qeverisjes.
“Edi Rama ka disa algoritme që funksionojnë prej vitesh në qeverisjen e tij.
Algoritmi i korrupsionit. Algoritmi i krimit të organizuar. Algoritmi i pastrimit të parave. Algoritmi i taksave. Të gjitha bashkë formojnë algoritmin e Edi Ramës: qytetarët paguajnë gjithnjë e më shumë dhe marrin gjithnjë e më pak nga Qeveria”, shkruan Bardhi.
Duke iu referuar çmimit të naftës, ai thotë se në disa pika karburanti çmimi arrin deri në 219 lekë për litër.
“Algoritmi i naftës është fare i thjeshtë. Nga 219 lekë që paguan qytetari, rreth 100 lekë janë taksa: akcizë, taksë qarkullimi, taksë karboni dhe TVSH. Kur rritet çmimi, qytetari paguan më shumë. Kur qytetari paguan më shumë, Qeveria arkëton më shumë. Dhe ndërsa Qeveria përfiton nga rritja e çmimit, ajo nuk kthen asgjë tek qytetari. Pse Qeveria ka bërë këtë zgjedhje?”, shprehet ai.
Bardhi akuzon më tej qeverinë se të ardhurat shtesë nga rritja e çmimit të naftës nuk përdoren për lehtësimin e barrës mbi qytetarët.
“Sepse prioritet për Edi Ramën nuk është algoritmi i mirëqenies. Me milionat e shtuara që arkëton nga rritja e çmimit të naftës, financon algoritmin e korrupsionit, përmes tenderave me vlera 2–3 herë më të larta, siç kemi parë në dosjet e Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit”, shkruan kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.
Ai kundërshton gjithashtu argumentin se rritja e çmimeve është një fenomen ndërkombëtar.
“Që çmimet janë rritur kudo, nuk është justifikim. Pse nafta është më e lirë kudo në rajon? Sepse qeveritë atje kanë përdorur mekanizma që amortizojnë rritjen ose e kufizojnë atë”, pretendon Bardhi.
Më tej, ai ironizon mënyrën se si, sipas tij, qeveria po e trajton çështjen e çmimit të karburanteve:
“B — BESIM? Prit sa të shkojë 220 lekë/litër; E — EMPATI? Zero ulje taksash; S — SHËRBIM? 219 lekë/litër; A — ANGAZHIM? Më shumë fitime për Qeverinë.”
Bardhi kujton se, sipas tij, tre muaj më parë Edi Rama dhe mazhoranca refuzuan propozimin e Partisë Demokratike për uljen e çmimit të karburanteve përmes dy mekanizmave.
Sipas tij, propozimi parashikonte:
1. Uljen e taksës së qarkullimit;
2. Krijimin e një mekanizmi automatik, ku të ardhurat shtesë nga TVSH-ja, të krijuara për shkak të rritjes së çmimit të karburantit, t’u rikthehen qytetarëve përmes uljes së akcizës.
Në përfundim, Bardhi kërkon që qeveria të ndryshojë politikën e saj ndaj çmimit të naftës.
“Jemi ende në kohë që algoritmi i naftës të ndryshojë dhe propozimi i refuzuar tre muaj më parë të vihet në punë. Por për ta bërë këtë, duhet të ndryshojmë algoritmin kryesor: t’i bëjmë naftën Edi Ramës”, përfundon ai.





