Mihallaq Përgjika, 45 vjeç, ishte objektivi i një operacioni të zhvilluar nga forcat RENEA në Korçë gjatë fundjavës, por kontrollet nuk sollën kapjen e tij.
Përgjika, i dënuar për vrasje dhe i njohur nga autoritetet për të kaluarën e tij kriminale, dyshohet se prej një periudhe kohore qëndron i fshehur. Policia vijon kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Sipas burimeve të cituara nga mediat, gjatë viteve 2020-2021, 45-vjeçari mendohej se ndodhej në Belgjikë. Më pas, dyshohet se është rikthyer në mënyrë të paligjshme në Shqipëri dhe është vendosur në Korçë.
Informacionet se Përgjika mund të fshihej në qytet kanë bërë që Policia të intensifikonte kontrollet gjatë ditëve të fundit, duke verifikuar ambiente dhe adresa të dyshuara.
Për shkak të profilit të personit të kërkuar, sipas të njëjtave burime, drejtori i Policisë së Korçës, Vilson Bala, kërkoi mbështetjen e forcave RENEA për zhvillimin e operacionit.
Forcat speciale ndërhynë në orët e para të ditës në një pallat në Korçë, ku kryen kontrolle me qëllim kapjen e 45-vjeçarit. Megjithatë, Përgjika nuk u gjet në ambientet e kontrolluara.
Policia vijon kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij. Deri më tani mbetet e paqartë nëse 45-vjeçari vazhdon të fshihet në Korçë apo është larguar nga qyteti përpara ndërhyrjes së RENEA-s.





