Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti tragjik i ndodhur një ditë më parë në aksin rrugor Lurë–Rrëshen, ku humbi jetën 20-vjeçari Claudio Ndoj dhe mbetën të plagosur dy persona të tjerë.
Claudio Ndoj ndodhej pasagjer në një automjet tip “BMW”, që drejtohej nga 20-vjeçari Arli Kacorri. Në makinë ndodhej edhe një 15-vjeçar.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti ka dalë nga rruga në një kthesë dhe ka përfunduar në greminë. Dyshohet se shpejtësia ka bërë që drejtuesi të humbiste kontrollin mbi automjetin.
Përveç dinamikës së aksidentit, grupi hetimor po verifikon edhe gjendjen e rrugës në segmentin ku ndodhi ngjarja. Aksi Lurë–Rrëshen është ende në ndërtim dhe nuk ka përfunduar. Në vendin e aksidentit mungojnë barrierat mbrojtëse, një element që po hetohet nëse ka ndikuar në përmasat e aksidentit.
Dy të plagosurit, Arli Kacorri dhe 15-vjeçari, u transportuan për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Burime nga spitali bëjnë me dije se gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar dhe të dy janë jashtë rrezikut për jetën. Ata kanë dalë nga reanimacioni dhe janë transferuar në pavijone, ku po vijojnë trajtimin mjekësor.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit dhe për të sqaruar nëse, përveç shpejtësisë, kushtet e rrugës dhe mungesa e barrierave mbrojtëse kanë ndikuar në këtë ngjarje tragjike.





