21.7 C
Tiranë
Sunday, September 13, 2026

“Paratë janë publike, rreziku është publik”, Tabaku: Krijohet një “arkipelag paligjshmërie”

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë për ngritjen e një sistemi institucionesh dhe korporatash shtetërore që, sipas saj, funksionojnë jashtë standardeve të transparencës, konkurrencës dhe llogaridhënies.

Në “Këndin e Fundjavës”, Tabaku u ndal te tre struktura, KAYO, Banka Shqiptare e Zhvillimit dhe Korporata e Investimeve Shqiptare, duke i cilësuar si pjesë të një “arkipelagu paligjshmërie”, të krijuar gjatë 13 viteve të qeverisjes së Edi Ramës.

Sipas saj, këto struktura mund të duken të largëta nga problemet e përditshme të qytetarëve, por mënyra se si përdoren fondet dhe pasuritë publike ndikon drejtpërdrejt te çmimet, taksat, cilësia e shërbimeve dhe kostoja e jetesës.

“Paratë janë publike. Pasuritë janë publike. Rreziku është publik. Ndërsa vendimmarrja përqendrohet në pak duar dhe kontrolli dobësohet. Ky është thelbi i problemit. Dhe kjo është ekonomia e pakicës, faturën e së cilës e paguan shumica”, deklaroi Tabaku.

Në qendër të kritikave të saj ishte KAYO, shoqëria shtetërore e krijuar për industrinë e mbrojtjes, e cila, sipas Tabakut, në një periudhë të shkurtër është përfshirë në një sërë shoqërish të përbashkëta me kompani private.

Deputetja ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes së partnerëve privatë, konkurrencën, vlerësimin e përvojës së tyre, kontrollin e kostove, konfliktin e interesit dhe publikimin e kontratave dhe pronarëve përfitues.

“Si u përzgjodh secili partner? Çfarë gare u zhvillua? Si u vlerësua përvoja e tyre? Kush i kontrollon kostot? Kush verifikon konfliktin e interesit? Ku publikohen kontratat dhe përfituesit fundorë? Çfarë përgjegjësie mban bordi për çdo euro të shpenzuar?”, pyeti Tabaku.

Sipas saj, argumenti i sigurisë kombëtare nuk mund të përdoret si mburojë për mungesën e transparencës financiare.

Tabaku theksoi se opozita nuk kundërshton zhvillimin e industrisë shqiptare të mbrojtjes, por modelin që, sipas saj, “u kalon fitimet privatëve dhe rrezikun qytetarëve”.

Për Bankën Shqiptare të Zhvillimit, deputetja tha se një bankë e tillë mund të jetë një motor për sipërmarrjen, por paralajmëroi për rrezikun e klientelizmit nëse mungojnë filtrat profesionalë.

“Një bankë zhvillimi mund të jetë motor për sipërmarrjen; por, pa filtra profesionalë, mund të kthehet në sportel për klientët politikë. Mund të financojë fermerin që prodhon, ose mikun që telefonon. Mund të ndihmojë biznesin me ide, ose biznesin me lidhje”, deklaroi ajo.

Tabaku kërkoi transparencë për kreditë e mëdha, garancitë shtetërore, përfituesit dhe çdo ekspozim të mundshëm të buxhetit, duke nënvizuar:

“Zhvillimi nuk ka frikë nga transparenca. Vetëm favori ka frikë prej saj.”

Ndërsa për Korporatën e Investimeve Shqiptare, Tabaku ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të tokave, godinave dhe aseteve publike, duke kërkuar më shumë transparencë dhe kontroll mbi projektet dhe pasuritë që menaxhohen prej saj.

Sipas saj, këto struktura nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një modeli më të gjerë qeverisjeje.

“Në hartën e Shqipërisë është krijuar një realitet i ri ekonomik: disa institucione që duken si ishuj të veçuar, por që, kur i shikon së bashku, formojnë një arkipelag të tërë paligjshmërie, mungese transparence dhe pushteti të pakontrolluar.”

Tabaku argumentoi se ky sistem është ndërtuar gradualisht gjatë 13 viteve të qeverisjes së Edi Ramës, duke nisur, sipas saj, nga tenderët, koncesionet dhe partneritetet publike-private e duke vijuar me krijimin e strukturave me ligje dhe rregulla të posaçme.

Ajo kërkoi që çdo kontratë, partneritet dhe transferim i pasurisë publike të bëhet transparent, së bashku me kriteret e përzgjedhjes, vlerësimin ekonomik dhe përfituesit fundorë.

Në të njëjtën kohë, deputetja kërkoi që shoqëritë shtetërore që përdorin fonde, prona apo garanci publike t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të institucioneve përgjegjëse dhe që drejtuesit të mbajnë përgjegjësi për vendimet dhe fondet e përdorura.

Në fund, Tabaku e cilësoi sistemin si një “arkipelag pandëshkueshmërie”, duke argumentuar se ndryshimi nuk duhet të jetë thjesht zëvendësimi i një grupi me një tjetër, por ndryshimi i mënyrës së qeverisjes.

“Shqiptarët meritojnë një shtet që jep llogari. Meritojnë një ekonomi që punon për shumicën dhe jo për pakicën.”

Ajo përfundoi duke deklaruar se opozita do të luftojë për ndryshimin e këtij modeli dhe për një sistem ku, sipas saj, Shqipëria të funksionojë në interes të qytetarëve dhe jo të grupeve të privilegjuara.

“Sepse Shqipëria nuk është pronë e pushtetit. Shqipëria është e qytetarëve të saj. Dhe ekonomia e saj duhet të punojë për shumicën, jo për pakicën.”

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Nafta dhe benzina kapin nivele rekord, operatorët paralajmërojnë: “Rrezikohet furnizimi global me naftë”

0
Çmimet e naftës dhe benzinës në tregun vendas kanë shënuar një tjetër rritje të fortë, duke iu afruar niveleve rekord të regjistruara gjatë periudhës...

Shpërthim dhe zjarr në magazinën e armëve në Bullgari, incidenti i dytë brenda pak...

0
Një shpërthim është regjistruar mbrëmjen e së premtes në një magazinë armësh në Bullgarinë qendrore, duke shkaktuar një zjarr të madh. Autoritetet lokale kanë...

“Lamtumirë bosi im”, Elseid Hysaj në zi për humbjen e gjyshit

0
Momente të dhimbshme për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj dhe familjen e tij. Futbollisti ka njoftuar ndarjen nga jeta të gjyshit të tij,...

“Person në kërkim për vrasje dhe me rrezikshmëri të lartë”, Hita zbulon detaje nga...

0
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e autoriteteve greke kundër trafikut të kokainës nga...

“Vepra, guximi dhe lidershipi i tij mbeten frymëzim”, Meta përkujton Azem Hajdarin

0
Në 28-vjetorin e ndarjes nga jeta të Azem Hajdarit, ish-presidenti Ilir Meta ka përkujtuar liderin e Lëvizjes Studentore të viteve ’90. Përmes një postimi, Meta...