Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, deklaroi se ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë do të kthehen të lirë në Kosovë, ashtu siç, sipas tij, është sot i lirë vendi.
Gjatë fjalës së tij, Gjini tha se populli i Kosovës sot i drejtohet botës, miqve dhe kundërshtarëve me mesazhin “liri”, duke mbrojtur luftën e UÇK-së dhe figurat e saj.
“Sot i flasim gjithë botës, i flasim njëri-tjetrit, miqve edhe armiqve, e sot armiqve po u flet populli i lirë i Kosovës: liri!”, tha Gjini.
Ai iu referua katër ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke theksuar se, sipas tij, ata do të jenë sërish të lirë.
“A e dini kundër kujt kanë luftuar këta, UÇK, 4 burra që sot s’janë të lirë por do të jenë të lirë se ne jemi të lirë?”
Gjini deklaroi se UÇK-ja ka luftuar kundër forcave që, sipas tij, kanë kryer krime ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë.
“Kanë luftuar kundër atyre që i kanë mbushur kamionët frigoriferë me trupa të bashkëqytetarëve tanë, kanë luftuar kundër atyre që kanë dhunuar me mijëra gra, kundër atyre që me 4 dhjetor 1998 kanë vrarë fëmijët e vet për të na akuzuar neve!”, u shpreh ai.
Kreu i AAK-së ngriti pyetjen se si mund të konsiderohet fajtor një popull që, sipas tij, ka luftuar për lirinë dhe vendin e vet.
“Si mund të ketë faj një popull, njerëz që e kanë marrë pushkën për liri? Çdokush që ka kapur pushkën për të luftuar për vendin e vet, meriton t’i ngresh kapelën.”
Në përfundim, Gjini përsëriti bindjen se ish-krerët e UÇK-së do të kthehen të lirë në Kosovë.
“Ne jemi të lirë, do t’i presim të lirë. Kurrkush s’do ta ndotë tregimin tonë për liri!”, tha Ardian Gjini.





