Një 30-vjeçar është arrestuar në Durrës, pasi dyshohet se qarkullonte i armatosur dhe mbante pa leje një armë zjarri.
Në kuadër të operacionit të koduar “Informacioni”, policia vuri në pranga shtetasin H. K., 30 vjeç, banues në Durrës, i cili u kap në flagrancë në një apartament të marrë me qira në lagjen nr. 11.
Sipas policisë, i riu ishte futur në banesë në momentin kur u ndërhy nga efektivët. Gjatë kontrollit, në çantën marsup të tij u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak.
30-vjeçari akuzohet për veprën penale “Prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Në apartament, së bashku me të, ndodhej edhe shtetasja K. Sh., 28 vjeçe, banuese në Tiranë. Ajo u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në DVP Durrës, pas informacioneve të siguruara nga policia se 30-vjeçari mbante armë zjarri dhe qarkullonte i armatosur.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.





