Banorët e Rrjollit janë rikthyer këtë të shtunë në protestë, duke u mbledhur përpara kantierit ku po ndërtohet resorti “Blu Bòrgo”, në zonën e Velipojës, nga biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj.
Protestuesit i kanë bërë thirrje qeverisë që të ndërhyjë për ndërprerjen e menjëhershme të punimeve, pasi pretendojnë se resorti po ndërtohet në tokat e tyre. Banorët kanë shprehur gjithashtu shqetësimin e tyre ndaj Prokurorisë, duke pretenduar se çështja nuk po hetohet.
Gjatë protestës janë shënuar momente tensioni dhe konfrontime me forcat e Policisë, por nuk raportohet për persona të lënduar.
Në mbështetje të kauzës së banorëve është bashkuar edhe një shtetas gjerman që jeton në Shqipëri.
Protesta pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim. Banorët kanë paralajmëruar se duke nisur nga e hëna do të mblidhen çdo ditë përpara resortit që po ndërtohet nga Ulaj, në një sipërfaqe prej 147 hektarësh.
Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për ndalimin e punimeve dhe shqyrtimin e pretendimeve të tyre për tokat ku po zhvillohet projekti.





