Aktori i njohur spanjoll Javier Bardem do të nderohet me “Çmimin për Arritje Jetësore” në Festivalin e Filmit në Romë, një prej eventeve të rëndësishme kinematografike në Itali.
Çmimi do t’i dorëzohet nga regjisori i njohur italian Paolo Sorrentino, në një ceremoni që pritet të jetë një nga momentet e veçanta të festivalit.
Festivali do të zhvillohet nga 13 deri më 25 tetor, ndërsa Bardem do të jetë i pranishëm edhe për prezantimin e filmit “The Beloved”, me regji të Rodrigo Sorogoyen.
Filmi, i cili pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Kanë, rrëfen historinë e regjisorit Esteban Martinez, të interpretuar nga Bardem. Pas shumë vitesh, personazhi ribashkohet me vajzën e tij, një aktore në ngritje.
Bardem ka qenë së fundmi i pranishëm edhe në Festivalin e Filmit në Venecia, ku prezantoi filmin “Bunker”, me regji të Florian Zeller.
Ndërkohë, aktori spanjoll pritet të rikthehet në ekran në rolin e Stilgarit në filmin e shumëpritur “Dune: Part Three”, me regji të Denis Villeneuve.
Bardem ka përfunduar gjithashtu xhirimet e filmit “Hello & Paris”, një prodhim i Amazon MGM Studios, ku interpreton së bashku me aktoren Kate Hudson.
Me këtë vlerësim, Bardem i shton një tjetër çmim të rëndësishëm karrierës së tij, ndërsa prania e tij në Romë pritet të jetë një nga pikat kryesore të edicionit të këtij viti të festivalit.





