Policia e Tiranës ka reaguar pas të shtënave me armë zjarri në një kantier ndërtimi në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30, në rrugën “Selaudin Zorba”.
Policia dyshon se 45-vjeçari me inicialet Xh. Xh., pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Si pasojë, në afërsi të vendit të ngjarjes ndodhej 37-vjeçari M. G., i cili ka mbetur i dëmtuar lehtë.
Pas ngjarjes, 45-vjeçari është shpallur në kërkim, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në njoftimin zyrtar, Policia sqaron:
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit të marrë se rreth orës 03:30, në rrugën “Selaudin Zorba”, një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në ajër, organizuan menjëherë punën dhe shkuan në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat dhe autorësinë e rastit.
Si rezultat i veprimeve të para hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit Xh. Xh., 45 vjeç, i cili u shpall në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij. 45-vjeçari, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Si pasojë në afërsi të vendit të ngjarjes ndodhej shtetasi M. G., 37 vjeç, i cili ka mbetur i dëmtuar lehtë”, njofton policia.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.





