Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, i ka bërë thirrje Kuvendit të votojë projektligjin e kësaj force politike për pezullimin e taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Xhixho ka marrë si shembull Gjermaninë, duke argumentuar se ulja e taksave të karburanteve mund të shërbejë si një masë lehtësuese për qytetarët dhe bizneset përballë rritjes së çmimeve.
“Gjermania ul taksat e naftës, Kuvendi të votojë Projektligjin e Partisë së Lirisë për Taksën e Qarkullimit.”
Xhixho pretendon se në Shqipëri çmimi i naftës është rritur, ndërsa qytetarët vijojnë të paguajnë një barrë të lartë taksash mbi karburantet.
“NAFTA SHTRENJTOHET dhe kjo qeveri nuk merr asnjë masë për të hequr taksat! Në Shqipëri, çmimi i naftës rritet dhe qytetarët vazhdojnë të paguajnë 60% taksa në çmimin e karburanteve.”
Sipas saj, Gjermania ka ndërmarrë masa për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të karburanteve. Xhixho deklaron se qeveria gjermane ka vendosur të ulë taksën e energjisë për benzinën dhe naftën me 14 cent për litër, ndërsa, sipas saj, bashkë me TVSH-në lehtësimi arrin rreth 17 cent për litër.
Ajo e cilëson këtë si pjesë të një pakete prej 2.5 miliardë eurosh, të orientuar drejt lehtësimit të qytetarëve dhe bizneseve.
“Pikërisht për këtë arsye, Partia e Lirisë ka muaj që ka depozituar Projektligjin për pezullimin e Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit, për t’u dhënë qytetarëve një lehtësim të drejtpërdrejtë.”
Xhixho kërkon që Kuvendi të shqyrtojë dhe të votojë projektligjin e propozuar nga Partia e Lirisë, duke argumentuar se ulja e taksave do të sillte ulje të çmimit të naftës.
“Është koha për t’ua lehtësuar barrën.
Nëse Gjermania mund të ulë taksat për të mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve të karburanteve, pse Shqipëria duhet të bëjë të kundërtën?
Projektligji i Partisë së Lirisë është aty.
Votojeni.
Ulni taksat.
Ulni çmimin e naftës.
Mbroni qytetarët”, shkruan Xhixho.





