Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pranuar se forca që ai drejton është vonë me përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat pritet të zhvillohen në vitin 2027.
Gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit në rrjetet sociale këtë të shtunë, Berisha iu përgjigj shqetësimeve për përgatitjet e opozitës për zgjedhjet lokale.
“Ju garantoj se e ndaj plotësisht shqetësimin me ju, por ne po punojmë në atë drejtim, por duhet të shpejtojmë.”
Berisha u ndal edhe te mënyra se si Partia Demokratike mund të përzgjedhë kandidatët për zgjedhjet e ardhshme. Ai deklaroi se është personalisht në favor të primareve, por tha se aktualisht brenda partisë po diskutohen edhe variante të tjera.
Sipas tij, një prej alternativave është zhvillimi i primareve me seleksionim, variant me të cilin ai shprehet më i prirur.
“Personalisht jam për primaret…. Dhe te ne tani këtu, për momentin ka ide pa primare, ka ide për primare me seleksion, dhe unë jam më shumë me këtë të dytën.”
Kryedemokrati foli gjithashtu për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke deklaruar se Partia Demokratike ka marrë mbështetje gjatë qëndrimit të tij atje.
I pyetur nëse mund të ndodhë një situatë e ngjashme me atë të Venezuelës dhe Nicolás Maduros edhe me kryeministrin Edi Rama, Berisha u shpreh:
“Tani, ajo nuk do ndodhë. Do ta ngremë ne Maduron e Shqipërisë, se atë nuk mund ta them, por ne paraqitëm rastin, dhe faktet, argumentet për narkoshtetin e para dhe të vetëm në Europë dhe problemet që ekzistojnë, mungesën e shtetit ligjor në Shqipëri.”
Berisha komentoi edhe vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe tha se, sipas tij, ai synon të njollosë luftën e UÇK-së.
Sipas Berishës, dënime të tilla nuk janë dhënë as ndaj personave që ai i cilëson si “kasapë të Ballkanit” dhe që, sipas tij, kanë qenë në krye të masakrave dhe genocideve në Kosovë e Bosnjë.





