Pas reagimeve dhe kritikave për mënyrën se si ishin ekspozuar veshjet e heroit Çerçiz Topulli në Muzeun e Gjirokastrës, kreu i Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Florian Hysi, ka dhënë dorëheqjen nga detyra.
Në deklaratën e tij, Hysi e cilëson dorëheqjen si një akt të përgjegjësisë personale, ndërsa thekson se ajo që u konsiderua si gabim tashmë është korrigjuar.
Ndërkohë, manekini që u bë objekt kritikash është ndryshuar. Veshjet e Çerçiz Topullit janë vendosur tashmë në një manekin pa fytyrë, pasi më herët ekspozimi i tyre ishte shoqëruar me një imazh që shkaktoi reagime dhe u cilësua nga kritikët si qesharak.
Në deklaratën e tij, Hysi shkruan:
“Pas një periudhe pune të përkushtuar në shërbim të trashëgimisë kulturore, muzeve dhe Gjirokastrës, kam vendosur të jap dorëheqjen time prej pozicionit që mbaj.
E bëj këtë vendim me përgjegjësi dhe me bindjen se çdo detyrë publike duhet të shoqërohet me përgjegjësi personale për çdo vendim, veprim apo gabim që mund të ndodhë gjatë saj. Ajo që u konsiderua gabim u korrigjua dhe marr të gjithë përgjegjësinë përsipër.
Largohem me mirënjohje për mbështetjen e Bashkisë Gjirokastër, për kolegët dhe veçanërisht për punonjësit e Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore, me të cilët kemi punuar dhe realizuar shumë më tepër sesa ishte bërë prej vitesh. Dorëheqja ime nuk është dorëzim nga ajo që besoj. Është një akt përgjegjësie dhe respekti për institucionin!
Mbetem mirënjohës për punën e bërë, për përpjekjet tona dhe për çdo gjurmë që kemi lënë në muze dhe në kujtesën e Gjirokastrës.”





