Në procesin gjyqësor ndaj Lulzim Berishës, Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë për vrasjet e vitit 2005 të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, seanca është shoqëruar me përplasje mes gjykatës dhe avokatëve mbrojtës.
Në këtë proces, SPAK pritej të lexonte pretencën, ndërsa avokatët e të pandehurve qëndruan në pjesën e sallës të destinuar për publikun, në respektim të vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkot pa afat.
Bojkoti lidhet me rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), të cilën avokatët e konsiderojnë antikushtetuese dhe penguese për ushtrimin e profesionit.
Për qëndrimin e tyre në pjesën e publikut, trupa gjykuese, e drejtuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, ka gjobitur me nga 50 mijë lekë më shumë se 10 avokatë, si ata të zgjedhur nga të pandehurit, ashtu edhe ata të caktuar kryesisht.
Vendimi i gjykatës vjen në një kohë kur bojkoti i avokatëve vijon të prekë proceset në GJKKO, ndërsa Dhoma Kombëtare e Avokatisë kundërshton rregullat e reja dhe mënyrën e ushtrimit të profesionit të avokatit në këtë gjykatë.





