Mbi 300 raste zjarresh janë regjistruar në qarkun e Shkodrës gjatë muajve të verës, ndërsa krahasuar me një vit më parë, në zonat urbane raportohet një ulje e numrit të vatrave.
Nga 1 qershori deri më 15 shtator, në të gjithë qarkun Shkodër janë evidentuar gjithsej 368 raste zjarri.
Pavarësisht uljes së rasteve në zonat urbane, sfida kryesore për autoritetet vijojnë të jenë zonat rurale dhe pyjore, ku terreni i vështirë dhe sipërfaqet e mëdha të mbuluara me pyje e bëjnë më të vështirë ndërhyrjen dhe izolimin e flakëve.
Një prej rasteve më të rënda të sezonit ishte zjarri në malin e Tërbunit në Pukë, ku flakët përshkuan rreth 400 hektarë sipërfaqe pyjore. Terreni i vështirë dhe përhapja e shpejtë e zjarrit e kthyen këtë vatër në një prej sfidave kryesore të sezonit.
Një tjetër situatë problematike u regjistrua në Bardhaj të Shkodrës, ku zjarri preku tre njësi administrative.
Edhe në këtë rast, procesi i vlerësimit të dëmeve nuk ka përfunduar ende. Për këtë arsye, bilanci i plotë i pasojave pritet të përcaktohet pas përfundimit të verifikimeve në terren.
Autoritetet e konsiderojnë menaxhimin e zjarreve në zonat rurale dhe pyjore një nga sfidat kryesore të sezonit të verës, pavarësisht tendencës së uljes së numrit të vatrave në zonat urbane.





