Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin e regjistruar ditën e djeshme në Sarandë, ku u ekzekutua me armë zjarri Artan Myrtaj, i njohur si “Tani i Ruzhdiut”.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 mm, ndërsa rreth 20 persona që ndodheshin në zonë në momentin e atentatit janë marrë në pyetje.
Hetuesit po analizojnë gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë në qytet, në përpjekje për të rindërtuar lëvizjet e autorëve para dhe pas ngjarjes. Një pjesë e kamerave është hapur dhe pamjet po analizohen, ndërsa për të tjerat vijon puna për sigurimin e aksesit.
Ndërkohë, kontrollet janë shtrirë në akset dalëse të Sarandës, ku janë ngritur postblloqe në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Një nga pistat që po verifikohet nga hetuesit është ajo e një atentati të kryer nga vrasës me pagesë.
Paralelisht, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që vrasja të jetë e lidhur me konfliktin e nisur pas ngjarjes së korrikut 2025, kur u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj. Myrtaj ishte përfshirë në hetimet për atë ngjarje dhe ishte liruar pak kohë para ekzekutimit.
Megjithatë, deri në këto momente, nuk ka një pistë të konfirmuar zyrtarisht për motivin e vrasjes.





