Një fermere britanike që telefonoi numrin e emergjencës 999 pasi vuri re automjete dhe persona të maskuar pranë bazës ajrore RAF Fairford, në Gloucestershire, beson se telefonata e saj mund të ketë ndihmuar në zbulimin e një komploti të dyshuar terrorist.
Gruaja, e cila jeton në Whelford dhe ka kërkuar të mbetet anonime, tregoi për BBC Radio 4 se ishte kthyer nga një festë pak pas mesnatës, kur pa tre furgonë të bardhë që kishin bllokuar rrugën dhe hyrjen në pronën e saj.
Teksa po kthehej me makinë, ajo tha se pa një grup të madh burrash me kapuçë dhe maska. Sipas saj, disa prej tyre u larguan drejt një fushe, ndërsa të tjerë në drejtim të fshatit fqinj Kempsford.
Fermerja fillimisht tentoi të kontaktonte policinë e Ministrisë së Mbrojtjes, por nuk mori përgjigje. Në orën 01:36, ajo telefonoi numrin 999. Sipas saj, rreth 10 minuta më vonë, zona u mbush me policë të armatosur.
“Jam absolutisht e habitur që iu desh mua, si pjesëtare e publikut, ta shihja dhe ta raportoja këtë”, tha ajo.
Fermerja kritikoi gjithashtu masat e sigurisë rreth bazës, duke pretenduar se telefonata e saj ndihmoi në zbulimin e planit të mundshëm të të dyshuarve.
Policia e Gloucestershire konfirmoi se kishte marrë një raport për tre automjete të dyshimta që lëviznin në drejtim të bazës rreth orës 00:45.
Pesë të arrestuar për dyshime terroriste
Pesë burra u arrestuan fillimisht në bazë të legjislacionit britanik për eksplozivët dhe më pas nën dyshimin për përgatitjen e një akti terrorist. Ata mbeten në paraburgim, ndërsa hetimi drejtohet nga njësia antiterror.
Autoritetet vendosën një kordon sigurie prej rreth 400 metrash rreth automjeteve, ndërsa në zonë u angazhuan edhe ekipet speciale.
RAF Fairford është një bazë ajrore britanike që përdoret nga Forcat Ajrore të SHBA-së për operacione dhe misione ushtarake.
Ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, falënderoi publikisht fermeren për reagimin e shpejtë, por theksoi se ajo kishte parë vetëm “një pjesë të pamjes” dhe se nuk mund të komentonte detajet operative të hetimit.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se të dyshuarit ishin “nën vëzhgim për një kohë të gjatë” dhe se autoritetet “i kapën”.





