Këngëtarja e njohur Nicole Scherzinger pësoi një djegie të dhimbshme në këmbë vetëm një orë para se të dilte në skenë në Düsseldorf të Gjermanisë, por pavarësisht incidentit ajo nuk e anuloi performancën.
48-vjeçarja ndau në Instagram një fotografi të këmbës së saj, ku dukeshin skuqje dhe flluska të shkaktuara nga uji i valuar. Scherzinger tregoi se incidenti ndodhi pak para koncertit të 26 shtatorit.
“Është e mrekullueshme kur uji i valuar të bie në këmbë një orë para performancës. Por shfaqja duhet të vazhdojë”, shkroi këngëtarja në Instastory.
Pavarësisht dëmtimit, Scherzinger u ngjit në skenën e PSD Bank Dome, ku performoi së bashku me Ashley Roberts dhe Kimberly Wyatt.
Pas koncertit, këngëtarja falënderoi publikun në Düsseldorf për mbështetjen dhe bëri të ditur se turneu do të vijojë me ndalesën e radhës në Amsterdam.
Nicole Scherzinger dhe “Pussycat Dolls” janë aktualisht në turneun “PCD Forever”, i cili shënon rikthimin e grupit në skenat ndërkombëtare.





