Detaje të reja kanë dalë nga ekspertiza balistike për ngjarjen e rëndë në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos, ku humbi jetën 36-vjeçari me origjinë shqiptare, Gjovalin Lazri.
Sipas rezultateve paraprake, të raportuara nga mediat italiane, të shtënat dyshohet se janë kryer nga një distancë më pak se 14 metra. Në vendngjarje janë gjetur 12 gëzhoja, të grumbulluara në një zonë të vetme të banesës.
Hetuesit po analizojnë pozicionin e gëzhojave, trajektoret e plumbave dhe pozicionet e personave në momentin e të shtënave. Në vend janë gjetur gjithashtu tre elektrikë dore, njëri prej tyre pranë trupit të Lazrit.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas rindërtimit paraprak, Roberto Mollo, 35 vjeç, pronari i banesës, ishte zgjuar nga zhurmat jashtë dhe kishte dalë në ballkonin e katit të parë.
Sipas hipotezës së hetimit, nga ballkoni ai ka qëlluar në drejtim të dritave të elektrikëve të personave që ndodheshin në pronë.
Një prej plumbave ka goditur Lazrin në qafë, duke i shkaktuar plagën fatale.
Ekspertiza balistike zgjati më shumë se pesë orë. Në vendngjarje u kryen gjithashtu të shtëna provë dhe simulime për të përcaktuar trajektoret dhe distancën e të shtënave.
Prokuroria e Astit vijon hetimet. Mollo është nën hetim për vrasje, ndërsa ai ka deklaruar se ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes.
Hetuesit pritet të rikthehen në vendngjarje gjatë natës për të verifikuar kushtet e ndriçimit dhe shikimit në rrethana sa më të ngjashme me natën e ngjarjes.
Ngjarja ndodhi në orët e para të 20 shtatorit, pasi disa persona dyshohet se hynë në pronën e familjes Mollo. Pas të shtënave, 35-vjeçari telefonoi vetë numrin e emergjencës 112 dhe njoftoi autoritetet se kishte qëlluar një person.





