31.8 C
Tiranë
Thursday, June 18, 2026

Nga janari nuk do të lejohen të udhëtojnë/ BE nuk i njeh ende certifikatat e vaksinimit kundër koronavirusit, të lëshuara në Kosovë

Qytetarët e Kosovës, nga janari i vitit të ardhshëm, mund të mos lejohen të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian, pasi blloku nuk i njeh ende certifikatat e vaksinimit kundër koronavirusit, të lëshuara në Kosovë.

Për më tepër, BE-ja, nga 10 janari, synon t’i ndalojë të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar me dozën e tretë të vaksinës. Aktualisht, për të hyrë në njërin nga vendet e bllokut mjafton testi negativ PCR i koronavirusit.

Vendimin përfundimtar për udhëtime nga jashtë, BE-ja pritet ta marrë në fund të dhjetorit.

Kosova, bashkë me Bosnje e Hercegovinën, mbeten dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor, të cilave BE-ja nuk ua njeh certifikatat e vaksinimit.

Kjo, edhe përkundër faktit se në Kosovë jepen vetëm vaksinat Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës thotë se problemi me certifikatat është i natyrës teknike.

“Jemi në fazën kur duhet të bëhet i lexueshëm kodi QR offline [pa qenë të lidhur në internet]. Aktualisht është i lexueshëm vetëm online. Çështja ka të bëjë me aspektin teknik”, thotë për Radion Evropa e Lirë Dafina Gexha, zëvendësministre e Shëndetësisë.

I ashtuquajturi kod QR, kur skanohet, ofron informacione për llojin e vaksinës së marrë, numrin e dozave dhe vendin e vaksinimit.

Gexha thotë se janë duke punuar në mënyrë intensive që problemi të zgjidhet përpara 10 janarit, kur mund të hyjë në fuqi ndalimi i udhëtimit në BE pa tri doza të vaksinës.

“Besoj se deri atëherë edhe kjo certifikatë do të kompletohet dhe qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa pengesa jashtë vendit”, thotë Gexha.

Pa pengesa, qytetarët e Kosovës nuk janë as tash.

Jehona Bajrami, nga Prishtina, ka ndarë me Radion Evropa e Lirë përvojën e saj nga pushimet verore në Francë dhe Itali.

Edhe pse të vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, ajo dhe bashkëshorti i saj nuk kanë mundur të kenë qasje në shumë ambiente të mbyllura, të tilla si restorantet apo muzetë.

“Në Bolonjë të Italisë deshëm të hyjmë në muze dhe nuk na lanë, nuk na e pranuan certifikatën. Atyre nuk u interesonte tutje kjo çështje”, thotë Jehona.

Sipas saj, opsioni i vetëm për të hyrë në vende të tilla ka qenë me test negativ të koronavirusit.

Mospranimi i certifikatave të vaksinimit e thellon edhe më shumë izolimin e kosovarëve, të cilët nuk kanë as liberalizim vizash për të udhëtuar në BE, thotë Jehona.

“Edhe ashtu jemi të margjinalizuar si njerëz, sepse përpos hallit se sa inferior ndihesh në aeroport, gjithmonë ke njëfarë frike mos po të ndalin, të kthejnë, mos e ke vizën keq… plus kësaj t’ia shtojmë edhe problemin [e mospranimit të certifikatës së vaksinimit]”, thotë ajo.

“Kufizimi i këtij lloji, shkelje e të drejtave të njeriut”

Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, thotë se është e padrejtë që qytetarët e Kosovës, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për vaksinim dhe janë vaksinuar me vaksina të pranuara nga BE-ja, të izolohen për çështje teknike.

“Kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, sepse, në njëfarë mënyre, përkundër asaj që i plotëson kushtet, e ke vaksinën, e ke vizën, nuk lejohet të lëvizësh. Është shkelje ekstreme e të drejtave të njeriut”, thotë Shala.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kufizimi i lëvizjes në bazë të dëshmisë së vaksinimit në tërësi është i padrejtë.

Skënder Syla, përfaqësues i OBSH-së në Bullgari, thotë se kur merren vendime të tilla, duhet pasur parasysh edhe shpërndarjen jo të barabartë të vaksinave nëpër botë.

“OBSH-ja nuk e mbështet përdorimin e dëshmisë së vaksinimit si parakusht të vetëm për udhëtime ndërkombëtare, duke pasur parasysh përhapjen gjerësisht të pabarabartë të vaksinave midis vendeve të pasura dhe me të ardhura më të pakta”, thotë Syla.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në fund të marsit.

Vaksinat e para i ka siguruar përmes donacioneve, ndërsa në maj ka nënshkruar kontratën e parë me kompanitë Pfizer/BioNTech për sigurimin e mbi një milion vaksinave.

Deri më tash, rreth 43 për qind e qytetarëve të Kosovës janë vaksinuar me nga dy doza. Nga 9 dhjetori ka nisur të administrohet edhe doza e tretë dhe përforcuese e vaksinës.

/REL

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

“Shko në protestë po ta mbajti!” – Balla sfidon Berishën në Kuvend, plas debati...

0
Një debat i fortë është zhvilluar në Kuvend mes kreut të Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partia...

“A e kuptoni si jeni në piramidën e narkoshtetit? Në krye jeni ju” –...

0
Kryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, përsëriti nga foltorja e Kuvendit akuzat që kishte artikuluar më herët gjatë seancës plenare, duke e...

“Deputetja juaj po denoncon kërcënime nga Bajrat, ju thoni jemi tradhtuar!” – Redi Muçi...

0
Deputeti Redi Muçi i kërkoi llogari mazhorancës në Kuvend lidhur me deklaratat e deputetes Marjana Koçeku, e cila ka denoncuar publikisht se është kërcënuar...

SPAK “zbarkon” në Devoll/ Kontrolle në banesën e ish-shefit të AMP-së Devi Ago, në...

0
Një operacion i Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet në Devoll, ku po kryhen kontrolle në disa ambiente dhe...

Mbi 31 mijë vota preferenciale! Edona Llalloshi drejt mandatit të ri në Kuvendin e...

0
Këngëtarja e njohur shqiptare, Edona Llalloshi, pritet të jetë pjesë e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, pasi rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare...