Mediat e huaja prestigjioze, si Reuters apo Washington Post e konsideruan protestën e Sali Berishës para selisë së PD si të dhunshme.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka mohuar kategorikisht se ditën e sotme në protestë ka patur dhunë. Ai ka hedhur poshtë shkrimet e agjensive të huaja prestigjioze “The Washington Post” dhe “ Reuters” duke thënë se u janë referuar mediave të Edi Ramës.
Berisha gjatë prononcimit për mediat ka bërë edhe një deklaratë të fortë duke u shprehur se në selinë blu ka vrasës e njerëz në kërkim. Berisha u shpreh se njëri prej tyre e ka mbiemrin Shata dhe se për të gjithë do të ngrihet padi.
“Së pari hedh poshtë kategorikisht se kjo ka qenë protestë e dhunshme. Mediat e huaja nuk kanë patur këtu përfaqësues. Ka dy përfaqësues të mediave të huaja që janë të lidhura me Ramën dhe që japin lajme në kundërshtim me traditën e agjencive që përfaqësojnë.
As blindet as dhe vrima e miut nuk e shpëton nga populli opozitar Bashën. Sot u arrit që çdo shqiptar të kuptojë se çfarë përfaqëson Lulzim Basha para tyre. Shqiptarët panë fytyrën e vërtetë të tij dhe kjo ditë do të mbetet në memorien e shqiptarëve si një nga ditët më të rëndësishme. Që në seli ka vrasës është evidente. Njëri prej tyre është me mbiemrin Shata. Por ka edhe të tjerë. Që aty ka persona në kërkim është evidente, janë pamje në foto. Grupi i Rithemelimit do t’i analizojë të gjitha procedurat ligjore. Nuk kemi besim tek drejtësia, por do të mbeten dhe drejtësia vonon dhe nuk harron. Ndaj të gjitha këtyre do të ngrihen padi.
Policia ndërhyri shtazërisht kundër protestuesve. Nëse ka patur një bunker real në diktaturë ka qenë ushtria. Por në atë kohë nuk kanë ekzistuar blinde në atë ndërtesë. Ndërtesat kanë kujtimet e tyre, por ajo mbetet selia e Partisë Demokratike dhe jo e Lulzim Bashës, ne kemi objektivin tonë në atë seli. Mediat e huaja nuk kanë patur këtu përfaqësues pasi protesta sot nuk ka qenë e dhunshme. “The Washington Post dhe Reuters u referohen mediave të Edi Ramës. Sot 600 mijë shqiptarë janë ndjerë me shpresë dhe të lirë”- u shpreh ai.