Të paktën 16 persona humbën jetën dhe 18 të tjerë u plagosën në një aksident rrugor vdekjeprurës sot në Gadishullin Sinai të Egjiptit, sipas zyrtarëve shëndetësorë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Shëndetësisë në një deklaratë theksoi se një minibus dhe një autobus u përplasën në rrugën që lidh qytetin Tor të Sinait jugor me qytetin e Suezit.
Ministria tha se dërgoi 13 ambulanca në vendngjarje dhe se të lënduarit u dërguan me urgjencë në spitale.
Egjipti njihet për siguri të dobët të transportit, ku çdo vit ndodhin mijëra aksidente trafiku për shkak të tejkalimit të shpejtësisë dhe zbatimit të dobët të ligjeve të trafikut.
Sipas agjencisë shtetërore të statistikave CAPMAS, në Egjipt janë regjistruar 9.992 aksidente automobilistike në vitin 2019, viti më i fundit për të cilin ekzistojnë të dhënat, duke shkaktuar 3.484 vdekje. Në vitin 2018, ka pasur 8.480 aksidente, duke shkaktuar mbi 3.080 vdekje.