-0.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Agroturizmit po favorizohet/Vetëm mishi u shtrenjtua 30%, energjia dhe infrastruktura kufizon aktivitetin

Segmenti i agroturizmit po favorizohet nga pandemia, ku kërkesa për natyrën dhe popullim të ulët mbetet e lartë. Operatorët e këtij sektori vlerësojnë se viti 2021 ishte pozitiv, me rritje të vizitorëve vendas e të huaj, ku nuk kanë munguar edhe tregje të reja, si ato të Arabisë apo tendenca e kamperave. Megjithatë, jo gjithçka ka qenë e lehtë, të gjithë raportuan rritje me 30-40% të çmimit të mishit dhe shtrenjtim të qumështit, i cili ka ndikuar kostot e tyre. Ndërkohë, problem në një pjesë mbetet infrastruktura e dobët dhe problemet me energjinë.

Familja “Maleci” çeli dyert e sipërmarrjes së tyre në Reç të Malësisë së Madhe, në qershor të vitit 2020, kur vendi sapo kishte dalë nga karantina dhe mbizotëronte frika e pandemisë. Megjithatë, interesi i vizitorëve ishte i menjëhershëm, duke përqafuar natyrën dhe kuzhinën që ofronte “Baresha”.

E ngritur mes pyjeve, në një pronë të trashëguar nga paraardhësit, me nostalgjinë e fëmijërisë së kaluar, në këtë zonë gjithçka duket e përsosur, përveç faktit që infrastruktura dhe rrjeti elektrik lënë për të dëshiruar.

Edhe pse përmbush shumicën e kushteve të një agroturizmi, duke ofruar edhe akomodim në 4 dhoma, familja mendon se ka ende punë para për të aplikuar, por fillimisht kërkon ndërhyrjen e shtetit për të vënë dorë në zonë. Kjo jo për “egon” e një biznesi, por të një fshati të tërë dhe zonën që ka potencial për rritje.

Energjia dhe infrastruktura kufizon aktivitetin

Rrjeti i dobët energjetik, në rastin më të mirë, dhe mungesa e energjisë për orë të tëra, në rastin më të keq, bëhen pengesë jo e pakët për sipërmarrjet agroturistike që zhvillojnë aktivitetin në zona rurale.

Mastershef Fundim Gjepali, nga Agroturizëm Gjepali, nënvizon se këtë vit i është dashur të blejë gjenerator me kosto jo të vogël, për të përballuar situatën.

“Energjia elektrike ka qenë një problem i madh që na detyroi të bëjmë një shpenzim të konsiderueshëm për blerjen e një gjeneratori. Falë lehtësimit që kishim nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural arritëm që ta zgjidhnim disi këtë.

Me aplikimin në skemën kombëtare u shpallëm fitues dhe përfituam. Çështja e energjisë duhet të shihet me përparësi gjithsesi, sepse një shpenzim 18 mijë euro për një gjenerator është kosto e madhe për një biznes si ne, që bëjmë investime të vazhdueshme” – pohon ai.

Situata shfaqet e ngjashme edhe në Reç të Malësisë së Madhe, ku Haxhi Maleci nga “Baresha” pohon se rrjeti energjetik është i dobët dhe ky nuk është problemi i vetëm.

“Infrastruktura është një problem i madh. Rruga është e pashtruar dhe do të ishte një ndihmë e madhe jo për biznesin tim, por për fshatin që ndodhet ngjitur, ku jetojnë 70 familje. Për bashkinë, një investim i tillë ndoshta është i papërfillshëm, por ka shumë rëndësi për zhvillimin e zonës dhe për të rritur vlerën e saj, pasi ka potencial” shprehet z. Maleci.

Ecuria e mirë në 2021, por janë rritur kostot, vetëm mishi u shtrenjtua 30%

Viti 2021, në përgjithësi, ka pasur ecuri të mirë për subjektet e agroturizmit për shkak se njerëzit kanë zgjedhur të jenë pranë natyrës, të konsumojnë ushqime të shëndetshme të rritura në fermë, si dhe për të shmangur grumbullimet. Pavarësisht ecurisë, thuajse të gjithë raportojnë rritje të kostove dhe kjo është më e theksuar te produkti kryesor në agroturizme, mishi.

“Ajo që ka ndryshuar këtë vit është rritja e çmimit të mishit vendas. Kjo lidhet me dy aspekte. Së pari, fluksi turistik në verë ka qenë shumë i lartë dhe së dyti, mendoj se është ulur numri i atyre që prodhojnë. Nuk e di të saktë ta them në shifra, por mendoj se janë pakësuar fermat, ndërkohë që kërkesa, sidomos për mishin e viçit, është rritur. Ndërkohë çmimi është rritur me 30% për bagëtitë e imëta, pra mishi i kecit dhe qengjit” – tha Altin Prenga nga “Mrizi i Zanave”.

Por nuk është vetëm mishi. Rritja e disa produkteve ka ardhur zinxhir që nga shtrenjtimi i kostove të prodhimit në ferma. Qumështi është një tjetër produkt me rritje çmimi.

“Ne përdorim qumështin e zonës nga fshatarët që kemi këtu për të prodhuar disa produkte tona. Rritja ka ardhur, sepse dhe fermerëve të zonës u është rritur kostoja për fermat e tyre dhe është përcjellë zinxhir. Ne kemi bërë një sakrificë dhe kemi mbajtur vetë peshën e këtij shtrenjtimi, pasi mendojmë që nuk është momenti për të rritur çmimet” – shton z. Gjepali.

Interesi për agroturizmet shqiptare, jo vetëm nga vendasit

Jo vetëm shqiptarët frekuentojnë agroturizmet në vend. Tendenca e të huajve që u drejtohen këtyre “oazeve” të natyrës gjithmonë e më shumë është në rritje. Madje segmenti i agroturizmit duket se është i ndikuar direkt nga ecuria që ka në tërësi turizmi. Prania e lartë e shqiptarëve të Kosovës, risia e tregut arab dhe shtimi i kamperave që u vërejt në përgjithësi këtë verë ka qenë e dukshme dhe në agroturizme.

“Kemi pasur turistë nga e gjithë bota, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga vendet europiane nga ato të Lindjes si Arabia Saudite, por edhe Izraeli. Më të zakonshmit janë shqiptarët e Kosovës, por edhe Mali i Zi. Këta të fundit vijnë individualisht, kurse grupet e tjera, të organizuara me agjenci. Një tjetër tendencë që e kam vënë re në rritje ishte ajo e kamperave. Janë udhëtarë që zgjedhin këtë variant dhe vijnë nga Europa. Kanë qenë të pranishëm deri tani vonë” – shprehet z.Prenga.

Një nga promotorët më të mëdhenj të këtij sektori janë rrjetet sociale dhe këtë e konfirmon z. Gjepali, teksa frekuentimi i agroturizmit të tij shënoi rritje nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik fill pas një dokumentari.

“Fuqia e internetit është e jashtëzakonshme. Një dokumentar i realizuar për shembull nga një blogere ruse me 15 mijë ndjekës që përfshiu Vlorën, Sarandën dhe agroturizmin tonë, ndikoi pozitivisht, duke rritur frekuentimin nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Kishte turistë nga Bjellorusia, Ukraina, Rusia” – pohon ai.

Maleci, nga ana tjetër, ka testuar tregun nëpërmjet platformës “Booking”. Ai thotë se ka pasur interes edhe me rezervime direkte, diçka që me heqjen e kufizimeve që bëhen nga pandemia, ndoshta do të jetë edhe më e suksesshme dhe e rregullt.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT