7.5 C
Tiranë
Saturday, November 23, 2024
spot_img

INSTAT/ Jetëgjatësia e shqipëtarve është rritur me 42%,ndërsa lindshmëria është ulur

Shqiptarët e viteve 1950 jetonin mesatarisht vetëm 54.4 vite sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndërsa që nga ajo kohë deri në vitin 2020, jetëgjatësia u rrit me 42%.

Një shqiptar në vitin 2020 jetoi mesatarisht 77.3 vite me një rënie nga viti 2018 me rreth 3,3 muaj si rrjedhojë e rritjes së vdekjeve në moshë të re nga pandemia e koronavirusit.

Të dhënat historike mbi jetëgjatësinë në 70 vitet e fundit, tregojnë nëse përmirësimi më i madh ndodhi në dy dekadat e 1950-1970, ky tregues u rrit me 18 vite ose 33%.

Nga 54.4 vjeç më 1950 jetëgjatësia mesatare në vitin 1970 arriti në 72.3 vite.

Që nga ajo kohë treguesi i jetëgjatësisë në vendin tonë është rritur me ritme të ulëta. Në vitin e parë të tranzicionit jetëgjatësia në vend ishte 75.4 vite dhe në vitin 2020 llogaritet në 77.3 vite me një përmirësim me rritje rreth dy vite.

Në vitin 2020, jetëgjatësia e pritur në lindje në Shqipëri ishte 75,2 vjet për burrat dhe 79,6 vjet për gratë. Kjo do të thotë që gratë pritet të jetojnë afro 4 vjet më shumë se burrat.

Popullsia në Shqipëri ka ndryshuar gjatë 30 viteve të fundit. Kjo vjen, veçanërisht, për shkak të ndryshimeve në sistemin ekonomik, duke kaluar nga ekonomia e centralizuar në një sistem të tregut të hapur i cili ka dhënë efektin e tij në lindje, vdekje, migracion, dhe sigurisht ka një ndikim në të ardhmen e popullsisë shqiptare.

Statistikat e popullsisë dhe ato mbi jetëgjatësinë janë shumë të rëndësishme për planifikime të tjera. Është me rëndësi të dimë se sa banorë jetojnë aktualisht në vend dhe sa do të ketë në të ardhmen, në mënyrë që të mund të merren vendime më të mira në lidhje me ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe rrugëve. Është gjithashtu e rëndësishme të dihet sa e moshuar është dhe do të jetë popullsia në vitet në vazhdim, në mënyrë që të planifikohen, për shembull pensionet apo kujdesi shëndetësor.

Në 1 Janar 2021 popullsia e Shqipërisë rezulton 2,83 milionë banorë dhe krahasuar me vitin 2011 është ulur me 2,7 %. Prirja në rënie vazhdon të jetë e pranishme nga vitet e mëparshme. Ky mund të jetë problem sepse mund të ndikojë në rritjen ekonomike, e cila varet nga niveli i konsumit apo investimet. Nëse popullsia zvogëlohet, atëherë do të ketë më pak kërkesa për konsum dhe investime që mund të reflektohen si një rënie ekonomike.

Gjatë periudhës 2011-2020, numri i lindjeve në vit është ulur ndjeshëm, nga rreth 34 mijë në 2011, në rreth 28 mijë në 2020, ndërsa numri i vdekjeve në vit ka mbetur midis 20 mijë dhe 22 mijë për periudhën 2011-2019, por ka shënuar rritje në rreth 28 mijë vdekje në 2020 i ndikuar nga efektet e pandemisë Covid-19.

Gjithashtu indeksi sintetik i fekonditetit ka rënë nga viti 2011 kur ishte 1,65 fëmijë për grua, në 1,34 në vitin 2020.

Rënia e lindshmërisë reflektohet në numrin e popullsisë në dekadat e ardhshme dhe të ketë ndikim, jo vetëm në uljen e popullsisë, por më shumë në efektet që rrjedhin nga ato faktorë, të cilët mund të jenë socialë ose ekonomikë, siç është ulja e fuqisë blerëse, rritja e normës së varësisë moshore, duke vënë në rrezik skemën e pensioneve, etj.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT