Së bashku me presidentin e Tuqisë, Rexhep Tajip Erdogan, Kryeministri Edi Rama inaguruan xhaminë e Etem Beut, e restauruar nga TIKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim.
Sipas tij, falë bashkëpunimit me historianët, inxhinierët, restauratorët turq me ata shqiptarë, sot në vend ndërtesat e fesë islame që kanë rilindur dhe që sipas Ramës nuk janë vetëm objekte kulti, por edhe një atraksion turistik. Ai vuri në dukje se pas xhamisë së Et’hem Beut rradhën e restaurimit e ka xhamia e plumbit në Shkodër.
“Ju e dini historinë tragjike të fesë në Shqipërisë dhe historinë që kaluan sendet e fesë, barbarinë në kohën e komunizmit. Në Shqipëri pas rrëzimit të diktaturës plagët dhe hallet ishin të panumërta dhe restaurimi i objekteve të fesë mbeti pas dore. Besoj se këto objekte, xhamitë, kishat , teqetë i përkasin shpirtit tonë, kujtesës tonë dhe duhen me patjetër pasur kujdes e rilindur. Në përpjekjen tonë për ta rilindur gjithë këtë kemi gjetur tek Ergogan një mbështetje të madhe.
Kemi zgjedhur te presidenti Erdogan një partner të pazëvendësueshëm. Falë angazhimit të agjencisë turke të bashkëpunimit TIKA, falë bashkëpunimit me historianët, inxhinierët, restauratorët turq me ato shqiptare, ne sot kemi disa nga xhevahiret e fesë islame që kanë rilindur plot shkëlqim. Xhamitë e qendrës mesjetare të Beratit, xhamia e mrekullueshme e Gjirokastrës që sot kanë rilindur falë kësaj përkujdesje, nuk janë thjesht objekte kulti, por janë edhe pika referimi për të gjithë ne dhe për të gjithë ata që e vizitojnë Shqipërinë në të gjithë diversitetin e saj. Unë po e mbyll fjalën time që së shpejti do të fillojë edhe puna për rilindjen e xhamisë së plumbit në Shkodër, një nga perlat e trashëgimisë sonë kulturore. Ndërkohë që me mbështetjen e presidentit dhe me bashkëpunimit të agjencisë TIKA do vijojmë punën për të vazhduar përpjekjen e bukur për rilindjen e Beratit, Gjirokastrës dhe vet Shkodrës”, deklaroi Rama.