Opozita u shpreh pro marrëveshjes Shqipëri-Greqi për ngritjen e një qendre të përbashkët policore dhe doganore.
Megjithatë, gjatë fjalës së mbajtur në Komisionin e Sigurisë Kombëtare deputeti i PD Ervin Salianji ngriti pikëpyetje mbi marrëveshjen.
Sipas tij ajo tregon se shtetet e BE e shohin Shqipërinë si një vend me kriminalitet të lartë, ku ‘kërcet arma në mes të ditës”.
“Patjetër që ne do të jemi pro siç jemi për çdo marrëveshje ndërkombëtare. Por duket qartë, qoftë nga fakti që është kërkuar nga pala greke, qoftë nga situata e kriminalitetit të shtuar nga trafiku i klandestinëve, krimi i organizuar, trafiku i drogës në raport me Greqinë , me ekstremizimin e dhunshëm me krime të rënda, të cilat për fat të keq për shkak të gjendjes së rëndë të sigurisë dhe krimit në Shqipëri janë eksportuar dhe në vende të BE dhe në Greqi. Po duket se po kërkohet një marrëveshje tjetër nga një shtet tjetër i BE kufitar, që duket qartë se kërkon më shumë informacion për grupet kriminale dhe kjo marrëveshje tregon edhe nga aktorë të jashtëm dhe shtete të tjera atë që shohin shqiptarët që këtu kërcet arma në mes të ditës dhe krimi është në nivele më të larta. Që Shqipëria po shkon keq e më keq. Inshalla i shërben kjo edhe Shqipërisë për shkak të informacioneve që mund të ketë për elementë kriminalë në Greqi. Kjo fakton atë që ne kemi thënë prej 8 vitesh”, tha deputeti.