Këtë të mërkurë është thërritur për të dëshmuar në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja.
Ky i fundit tha gjatë fjalës së tij se nevoja për përpunimin e mbetjeve është lëshuar në vitin 2007. Nga ana tjetër, deputeti Luçiano Boçi tha se në ndërtimin e inceneratorëve janë bërë dy shkelje procedurale.Ai tha se shpallja e emergjencës mjedisore nuk bëhet me vendim Këshilli Bashkiak, por me vendim të Komitetit të Mbetjeve.
PJESE NGA DEBATI:
Boçi: Ju thatë që ka një korrespondencë në vitet 2013 dhe 2014 ishin dy alternativa, landfill dhe papritur u shfaq inceneratori. Ladnfilli në Papër, do të kushtonte rreth 2 mln euro dhe do të kishte efektet si sot në Bashkinë e Elbasanit. Në terma të përgjithshëm u zgjodh papritur sipas procedurës. Sipas mendimit tuaj pse u zgjodh varianti i inceneratorit dhe jo i landfillit?
Llatja: Ka pasur një studim që është bërë dhe ju e keni të gjithë. Ka pasur vendim për përcaktimin e vendit. Bashkia e Elbasanit në vitin 2008 me vendim të këshillit bashkiak ka miratuar dhe thënë që qyteti i Elbasanit ndodhet në gjendje emergjente, ku thuhet se gjendja aktuale është skandaloze e bëhet djegia në natyrë. Në këtë studim që ka projekti nga mbrapa, në pikën e dytë është e përcaktuar qartë e kanë qenë 3 vende. Mund të përmendim zonën pranë ish-fabrikës së çimentos, e vendin pranë ish-kombinatit Metalurgjik ku jemi sot.
Boçi: Unë të thash pse u zgjodh inceneratorët dhe jo landfilli. Në vitin 2008 kush ishte kryetari i Bashkisë?
Llatja: Ka qenë Qazim Sejdini.
Boçi: E di dhe pjesën e vendeve, propozimeve dhe në të dyja rastet propozimet që keni kanë qenë landfill apo incenerator?
Llatja: Vend depozitimi të mbetjeve.
Boçi: Thatë që ka studim dhe projekt, unë them që këto të dyja parashikonin ndërtim inceneratori apo vend landfill, sepse vendi i depozitimit është ladfilli në fakt. Flitej për landfill apo incenerator?
Llatja: Flitet për vend depozitim, nëse është koncepti i ri inceneratori, në vitin 2008 flitet për vend depozitim i përgjithshëm. Është përcaktuar vendi ku do të ndërtohej.
Boçi: Flitej për incenerim apo jo?
Llatja: Është një raport që e keni besoj, nuk di, flitet për vëllime, sipërfaqe, është volum i madh studimi.
Boçi: Keni qenë perfekt i Elbasanit në cilën periudhë?
Llatja: Janar-Mars 2019.
Boçi: Në lidhje me emergjencës mjedisore kam një pyetje. Ajo u shpall në vitin 2014, a është mbyllur emergjenca?
Llatja: Shpallja e emergjencës ka një procedurë të shpallur, një vendim këshilli bashkiak. Emergjenca mjedisore për trajtimin e mbetjeve, sepse Elbasani ka edhe ndotjen industriale që nuk është zgjidhur, por mbetjet janë zgjidhur. Ka pasur një zgjidhje në më të mirën e mundshme sot. Në dijeninë time nuk ka përfundim mbyllje emergjence.
Boçi: Pra vazhdon që jeni ende në emergjencë?
Llatja: Thash që sot s’kemi emergjencë. Në dijeninë time nuk ka një akt të mbyllur.
Boçi: Çështja e shpalljes së emergjencës në raste analoge, si në Durrës, perfekti e ka përcaktuar si moskompetencë në shpalljen e emergjencës mjedisore. A është kompetencë e këshillit bashkiak të shpallë kompetencë mjedisore?
Llatja: Kompetencat janë të qarta. një vendim i Këshillit Bashkiak është i detyrueshëm dhe ka qenë i detyrueshëm.
Boçi: Autoriteti që ka të drejtë të shpallë emergjencën është komiteti i mbetjeve, vetëm ai shpall emergjencën. Emergjenca mjedisore është përdorur si arsye në mënyrë që negocimi të jetë pa shpallje, formulë koncesionare e në kundërshtim me ligjin. Kjo mënyrë e shpalljes është anti-ligjore e mbështetur me ligjin për PPP?
Llatja: Duhet të marrim një analogji të gjësë. Gjendja mjedisore e ardhur nga këshilli bashkiak i votuar nga të gjithë anëtarët e djathtë apo të majtë, të gjithë në bllok kanë votuar.
Boçi: Në fjalën tuaj juve thatë se vendgrumbullimi ishte problematike që nga viti 2008. Ju akuzoni paraardhësin tuaj se nuk kanë bërë asgjë. Sepse Sejdini ka qenë kryetar në vitin 2007. Ai është paraardhësi i zotit Llataj. Situata ka qenë problematike. Unë jam banor i qytetit të Elbasanit, e pjesa e emergjencës përcakton që në rastet kur ka keqmenaxhim nga autoritetet nuk mund të shpallet emergjencë. Shpallja bie në kundërshtim. Në këtë rast nuk mund të shpallësh emergjencë, nuk janë zbatuar dy pika, ligji për emergjencat dhe fakti që për shpalljen e emergjencës vjen nga komiteti i mbetjeve. Unë kam një pyetje tjetër në lidhje me tarifat që paguajnë qytetarët, a është rritur kjo tarifë?
Llatja: Bashkia s’e ka pasur as vitin 2014 problematikën për mbetjet. Ajo ka qenë prej kohësh. Në vitin 2007 i është drejtuar disa herë kërkesë për mbështetje. Bashkia e Elbasanit jo vetëm ka qenë e interesuar për gjetjen e zgjidhjes, por ka arritur deri aty sa kryetari i bashkisë i është drejtuar këshillit bashkiak që ka pasur brenda të majtë e të djathtë për të gjetur zgjidhje nga qeveria e për ta bërë.