27.3 C
Tiranë
Monday, August 31, 2026

23% të fluksit total të investimeve të huaja , ja kush është investitori më i madh në Shqipëri

Holanda ishte investitori më i madh i huaj në Shqipëri, për të tretin vit radhazi.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet holandeze vitin e kaluar arritën 237 milionë euro, vlerë kjo që përbën rreth 23% të fluksit total të investimeve të huaja gjatë periudhës, me një rritje të mëtejshme nga niveli 22% i vitit të kaluar.

Kryesimi i investimeve holandeze në vitet e fundit lidhet shumë me faktin se Holanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani holding, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit.

Disa prej kompanive më të rëndësishme që kontrollohen nga investitorë të regjistruar në Holandë janë Devoll Hydropoëer, Vodafone Albania apo Spitali Amerikan.

Ekspertët e shpjegojnë me dy arsye kryesore faktin pse Holanda është një juridiksion i preferuar për regjistrimin e shoqërive holding, përmes të cilave ushtrohet kontrolli mbi investimet e kryera në vende të ndryshme të botës.

Arsyeja e parë është se Holanda ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të botës për shmangien e tatimit të dyfishtë. Kjo i ndihmon kompanitë për të shmangur ndërlikimet tatimore në momentin e shpërndarjes dhe transferimit të dividendëve të fituara nga investimet e kryera në vende të tjera.

Arsyeja tjetër pse Holanda është një vend i preferuar për regjistrimin e kompanive është sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve mbi një kompani.

Në këtë pikë, Holanda ka karakteristika të ngjashme me vende të tjera që njihen si juridiksione offshore. Pikërisht kjo është arsyeja kryesore pse disa prej kompanive që kanë fituar kontrata koncesionare në Shqipëri rezultojnë të regjistruara në Holandë.

Italia ishte investitori i dytë më i madh për vitin 2021, me një fluks total prej 142 milionë eurosh. Investimet italiane shënuan rritje me 10% krahasuar me një vit më parë. Investimet italiane janë më të shpërndara nga këndvështrimi sektorial, por orientohen sidomos në aktivitetet e shërbimeve.

Investitori i tretë më i madh dhe për vitin e kaluar vit ishte Turqia, me një fluks investimesh të reja prej 89 milionë eurosh.

Megjithatë, investimet turke pësuan një rënie të ndjeshme me 26% krahasuar me një vit më parë. Sipërmarrja turke është e pranishme në Shqipëri me disa ndërmarrje të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si tregu bankar, ai financiar, industrial metalurgjike, energjetika apo ndërtimi.

Megjithatë, në fillim të këtij viti një prej investitorëve më të rëndësishëm turq, Çalik, vendosi të largohet nga Shqipëria, duke e shitur paketën kontrolluese të aksioneve të Albtelecom tek grupi hungarez 4iG.

Rritje të ndjeshme për vitin 2021 shënuan edhe investimet franceze, që arritën vlerën e 70 milionë eurove, me një rritje prej 75% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndër bizneset më të rëndësishme me kapital francez në Shqipëri janë kompania e prodhimit të dokumenteve të identifikimit ALEAT, miniera e bitumit në Selenicë dhe disa kompani të angazhuara në sektorin e energjive të rinovueshme.

Investitori i pestë më i madh i huaj për vitin e kaluar ishte Austria, me një total investimesh prej 66 milionë eurosh, në rritje të lehtë me dy milionë euro krahasuar me një vit më parë.

Investimet austriake në Shqipëri janë të përqendruara sidomos në tregun e sigurimeve, me grupet Uniqa dhe Vienna Insurance Group dhe në sektorin e ndërtimit, me kompaninë Strabag.

Investimet zvicerane pësuan rënie të mëtejshme vitin e kaluar në vlerën e 52 milionë eurove, 72% më pak krahasuar me vitin 2020. Rënia e investimeve zvicerane në vitet e fundit ka qenë e lidhur me përfundimin e ndërtimit të gazsjellësit TAP, shoqëri shumëkombëshe, por e regjistruar në Zvicër.

Për t’u përmendur vitin e kaluar ishte edhe një rritje e ndjeshme e investimeve nga Gjermania, Kosova dhe SHBA. Investimet gjermane për vitin 2021 kishin vlerën e 44 milionë eurove, në rritje vjetore me 144%, investimet kosovare arritën në 41 milionë euro, në rritje vjetore me 193% dhe investimet amerikane arritën në 33 milionë euro, në rritje vjetore me 120%

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Protesta e 90-të kundër Ramës/ Aktivistja bën thirrje: “Të marrin vezë me vete dhe...

0
Sot zhvillohet protesta e 90-të kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Qytetarët pritet të mblidhen para Kryeministrisë, aty ku prej tre muajsh...

Tragjedi në “Urën e Vashës”/ 35-vjeçari i jep fund jetës, i la bashkëshortes amanetin...

0
Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së enjtes në zonën e “Urës së Vashës” në Klos, ku një 35-vjeçar ka humbur jetën...

Tragjedia në Malishevë/ Vdes edhe 26-vjeçari i dyshuar për vrasjen e gruas shtatzënë

0
Egzon Bytyçi, 26-vjeçari i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij shtatzënë, Jetlira Foniqi, ka ndërruar jetë mbrëmjen e së enjtes në Qendrën Klinike...

Tragjedi në superstradën Lezhë–Shkodër, “Audi” përplas 12-vjeçarin me minipatinë, i mituri humb jetën

0
Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor pranë Fishtës, në superstradën Lezhë–Shkodër, ku një 12-vjeçar ka humbur jetën. Sipas të dhënave...

Trump firmos urdhrin e bujshëm: Liqeni Ontario bëhet “Liqeni Amerika”

0
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka firmosur një urdhër ekzekutiv për riemërtimin e Liqenit Ontario në “Liqeni Amerika”, në një tjetër përplasje...