17.5 C
Tiranë
Saturday, March 14, 2026
spot_img

Ndeshja Spanjë-Shqipëri/Edy Reja ankuar për penallti të padhënë në favorin tonë, si dhe për golin në pozicion jashtë loje të Dani Olmos

Edy Reja ka mbetur i kënaqur nga loja, por jo nga rezultati i miqësores ndaj Spanjës, të humbur 2-1. Në konferencën për shtyp, të dhënë nga Barcelona, para nisjes për në Tiranë, trajneri ynë kuqezi është ankuar për penallti të padhënë në favorin tonë, si dhe për golin në pozicion jashtë loje të Dani Olmos. Veterani italian nënvizoi para gazetarëve:

“Nuk kam ndonjë mesazh të veçantë për miqësoren ndaj Gjeorgjisë, sepse tifozët gjithmonë na kanë mbështetur, kanë qenë aty për ne. Kemi bërë një ndeshje të mirë ndaj Spanjës, mendoj se paraqitja ka qenë pozitive. Kishte entuziazëm të madh nga ana e skuadrës sonë. Spanja është një ekip favorit për të fituar Botërorin dhe e kemi parasysh shumë mirë se me kë jemi përballur.

Në vija të përgjithshme më ka pëlqyer loja e skuadrës time. Thjesht më vjen keq që pësuam atë gol në minutën e 90-të. Duhet të punojmë shumë në këtë pjesë, që të kemi më shumë përqëndrim në fushë deri në sekondat e fundit. Barazimi do të ishte një rezultat që do të na bënte shumë mirë në aspektin moral, por gjithsesi jam i kënaqur nga loja.

Duhet theksuar edhe fakti që ka pasur dy gabime arbitrale, për të cilat nuk është folur shumë. Dy penallti na janë mohuar. Ne i kemi parë edhe në përsëritje, pas ndeshjes. Ishte rasti i Cikalleshit që u rrëzua në zonë, një faull i pastër, por arbitri nuk e dha. Është edhe një moment tjetër, kur një nga spanjollët e preku topin me dorë në zonë.

Për të mos folur më pas edhe për golin e 2-1, që mendoj se erdhi nga një pozicion jashtë loje. Këto duhen thënë jo për t’u justifikuar, por për ta vlerësuar sa më mirë situatën. Ne po rritemi. Kemi bërë paraqitje të mira, kemi vazhdimësi. Na mungon vetëm ai hapi cilësor i fundit që të bëjmë sa më pak gabime në mbrojtje apo të shfrytëzojmë sa më shumë rastet në sulm. Besoj se kemi bindjen e duhur për të vazhduar kështu.

Qasja ndaj Gjeorgjisë? Do të doja të bënim të njëjtën paraqitje edhe ndaj Gjeorgjisë, ashtu siç luajtëm ndaj Spanjës, pavarësisht se rezultati nuk ishte pozitiv në fund. Do të ketë shumë ndryshime në mesfushë, por më duhet t’i vlerësoj të gjitha situatat, të gjithë lojtarët. Kush është në gjendje të mirë, kush ndihet më i lodhur dhe kush ndihet më i freskët.

Në mesfushë do të ketë ndryshime, sepse Bare ka pasur shqetësime fizike pas ndeshjes dhe nuk është stërvitur. Po e diskutojmë që të mos bashkohet me skuadrën në Tiranë, por të qëndrojë këtu dhe të rikuperohet. Për Balliun kemi pasur një akord që në fillim, do të ishte vetëm në ndeshjen me Spanjën, pastaj do të rikthehej te klubi. Uzuni, sipas të gjitha gjasave do të qëndrojë te Granada, pasi duhet të bashkëpunojmë edhe me klubet.

Ka pasur një kërkesë nga klubi i tij, për shkak të një ndeshjeje të rëndësishme në kampionat, na ka kërkuar që ta lëmë të lirë dhe sigurisht nuk duam t’i prishim punë. Sa i përket Gjeorgjisë, është një ekip shumë i fortë. Ka mundur Bosnjen, është një ekip i organizuar, teknik, shumë i vështirë.

E kisha kërkuar që në fillim, dy sfida të vështira në këto miqësore, si Spanja edhe Gjeorgjia më kënaqin dhe na japin mundësi të krijojmë eksperiencë të rëndësishme, por edhe të rritemi. Ky ishte synimi, të kishim kundërshtarë të tillë dhe ia arritëm qëllimit. Sigurisht dua të aktivizoj minimalisht 20 lojtarë, sepse duhet të kemi një grup kompetitiv për të arritur rezultate të rëndësishme dhe për të treguar rritjen tonë.

Nënvlerësim ndaj Gjeorgjisë? E kemi diskutuar shumë këtë pjesë me djemtë. Nuk ka pasur asnjë moment, në të gjitha ndeshjet e luajtura, nënvlerësim. Madje më kujtohet ndeshja ndaj Andorrës, ku kemi barazuar 2-2. Mendoj që e nënvlerësuam dhe bëmë gabim.

Që atëherë, para se të nisë grumbullimin, flas gjithmonë me djemtë dhe e nënvizoj shumë këtë aspekt, që nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar. Nuk duhet të kemi ulje të vigjilencës apo ritmit. Për mua miqësoret janë si ndeshje zyrtare, janë po aq të rëndësishme. Shoh te djemtë motivim shumë të madh dhe nuk kam aspak frikë në këtë aspekt.

Broja dhe Cikalleshi, në sulm ndaj Gjeorgjisë? Janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për ne, por në sulm kemi disa lojtarë në formë të shkëlqyer dhe që po aktivizohen rregullisht me klubet. Përveç Cikalleshit dhe Brojës është Manaj, i cili po luan mirë me klubin dhe po shënon gola.

Edhe Vrioni ka ardhur në formë, ka luajtur rregullisht me klubin në Austri dhe ka shënuar gola. Dua të bëj vlerësimet e mia, sepse do t’i provoj të gjithë. Mbase mund të ketë ndryshime, por Cikalleshi dhe Broja janë shumë të rëndësishëm”.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Trupi i pajetë i një të riu shqiptar gjendet në resort luksoz në liqenin...

0
Një ngjarje e rëndë tronditi një resort pesë yje në Gargnano, liqeni Garda, ku u gjet i pajetë një 32-vjeçar shqiptar. Identiteti i tij...

“Nga fama i hipi pak vetja në qejf” – Labinot Nimani zbulon detaje nga...

0
Gazetari nga Kosova, Labinot Nimani, ka qenë i ftuar sot në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku përmes një lidhjeje Skype ka...

“Gjesti Ka shkuar me revole në duar” – Labinot Nimani rrëfen kaosin në zyrat...

0
Gazetari nga Kosova, Labinot Nimani, i ftuar në emisionin “Live From Tirana”, zbuloi detaje mbi arrestimin e Gjestit dhe incidentin e ndodhur në zyrat...

Bylykbashi: Refuzimi i imunitetit të Ballukut, kulmi i korrupsionit sistemik të Ramës

0
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, e konsideron refuzimin nga shumica socialiste në parlament për të hequr imunitetin e ministres Belinda Balluku si “maja...

Berisha akuzon qeverinë: “Vjedhje 100% e fondeve publike, 49% e shqiptarëve në varfëri”

0
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur zërin gjatë takimit të organizuar nga Departamenti i Infrastrukturës, duke akuzuar qeverinë për korrupsion masiv dhe...