Policia në Malësinë e Madhe ka shpallur në kërkim dy persona të cilët e kishin kthyer një hotel në një shtëpi bari. Ndërkohë ka nisur edhe procedimi për pronarin e hotelit, i cili e kishte dhënë me qira, shtetasve K.N. dhe A. S.
Këta të fundit e kishin përshtatur në një ambient për kultivminn e kanabisit.
Në katin e parë dhe të dytë të godinës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 300 bimë të dyshuara narkotike, të kultivuara në vazo, 1.3 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe 230 llamba me stabilizator.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ambientit është konstatuar edhe lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Për këtë arsye ka nisur procedimi edhe ndaj 4 punonjësve të OSHEE-së.
Njoftimi:
Malësi e Madhe
Finalizohet operacioni policor i koduar “Culaj”.
Përshtatën ambientin e marrë me qira (bar-restorat-hotel), për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, shpallen në kërkim 2 shtetas.
Procedohet penalisht pronari që kishte dhënë me qira ambientet në pronësi të tij.
Procedohen në gjendje të lirë edhe 4 punonjës të OSHEE-së.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër, në kuadër të masave të marra për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe bazuar në informacionet e siguruara për përshtatjen e një ambienti për kultivimin e bimëve narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Culaj”.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll të befasishëm në Rrugën e Culajve, në Malësi të Madhe, në biznesin (bar-restorant-hotel), në pronësi të shtetasit F. E., i cili ia kishte dhënë me qira këtë ambient, shtetasit K. N.
Gjatë kontrollit rezultoi se shtetasi K. N., në bashkëpunim me shtetasin A. S., e kishte përshtatur këtë ambient për kultivimin e bimëve narkotike cannabis sativa, me anë të llambave.
Në katin e parë dhe të dytë të godinës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 300 bimë të dyshuara narkotike, të kultivuara në vazo, 1.3 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe 230 llamba me stabilizator.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ambientit është konstatuar edhe lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Në kuadër të këtij operacioni u shpallën në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, shtetasit K. N. dhe A. S., të cilit kishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, ambientet e biznesit (bar-restorant-hotel), në pronësi të shtetasit F. E.
Në vijim të veprimeve hetimore u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi F. E., 44 vjeç, banues në fshatin Çulaj, Malësi e Madhe, Shkodër, i cili i kishte dhënë me qira shtetasit K. N., ambientet në pronësi të tij.
Gjitashtu u proceduan penalisht në gjëndje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, 4 punonjës të OSHEE-së, shtetasit:
T. Zh., 45 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, Shkodër, koordinatori i zonës; S. H., 58 vjeç, banues në fshatin Grudë Fushë, Malësi e Madhe, shefi i ekipit të OSHEE-së; G. B., 52 vjeç, banues në fshatin Çesme, Malësi e Madhe, elekticist pranë OSHEE-së; R. B., 22 vjeç, banues në Malësi të Madhe, lexues i aparatit matës.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.