Fushata për zgjedhjet e kryetarit të ri të Partisë Demokratike që sheh përballë dy kandidatët, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe rivalin e tij të vetëm Ibsen Elezi, është duke vazhduar me intensitet të lartë.
Ish-kreu i PD-së në Kukës, e ka vazhduar turin e takimeve në qytetin e tij ditën e sotme, teksa ka folur edhe për mediat.
Në fjalën e tij, Elezi ka akuzuar drejtpërdrejtë Berishën se është futur në garën për kreun e PD-së për të përmbushur qëllimet personale dhe jo për të çuar drejt rrugës së fitores këtë forcë politike.
“Strategjia e PD nuk duhet të jetë strategjia e bashkimit që ju ka çuar Sali Berisha. Është rrena më e madhe. Rruga e Sali Berishës është rrugë qore dhe nuk çon në fitore. Dhe Sali Berisha po tregon se nuk ka interesin të çojë PD në fitore por të bëhet kryetar i partisë. Dhe kjo më bën mua të dal dhe të diskutoj me njerëzit për ide dhe vlera demokratike.
Pse në 2019, pse në 2021 i kemi thënë të dera e PD-së nuk mban më ujë pilafi. Lulzim Basha po e shkatërron PD-në. Në 2013, Sali Berisha për kundërpërgjigje tonën vuri në dispozicion gjithë njerëzit e vetë për ta zgjedhur në 13 qershor dhe në Kuvendin Kombëtar e mori për qafe”, tha ai.
Ndërkohë sa i përket akuzave të ish-deputetes Rudina Hajdari lidhur me marrëdhënien e tij të afërt me kreun socialist të Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, Elezi u shpreh se me të ulet në kafe sepse është Presidenti i Kukësit.
“Rudina Hajdari del me një parti të majtë brenda Partisë Demokratike dhe më akuzon mua në Kukës që s’kam qenë në parti. Unë kam qenë në krah të Flamur Hoxhës, dhe kam qenë kur është prezantuar. Arrijnë dhe më akuzojnë mua se jam njeriu i Safet Gjicit. Seç lidhje kam unë me Safet Gjicin?! Këta i kanë dhënë miliona euro në Tiranë e kanë bërë biznesmenin më të fuqishëm dhe tani me kthehen mua”, nënvizoi ish-kreu i PD në Kukës.