Kanë kaluar konkretisht gjashtë ditë, por Real Madridi është kujtuar të flasë për incidentet fatkeqe që ndodhën në portat e “Stade de France”. Përmes një deklarate, klubi kërkon të dijë arsyet që e shtynë UEFA-n të caktojë Parisin si stadiumin e ri.
Madrilenët dalin në mbrojtje të të gjithë tifozëve, përfshirë ata të Liverpool-it (që kanë shpërndarë tekstin në portalet e tyre zyrtare) dhe kërkojnë të dalin përgjegjësitë. “Disave iu desh ta kalonin natën në spital. Tifozët meritojnë një përgjigje”, – thuhet në deklaratën e “Los Blancos”.
Për momentin, e vetmja lëvizje që ka bërë UEFA ka qenë hapja e një hetimi që supozohet të sqarojë se çfarë ka ndodhur. Në krye të hetimit do të jetë portugezi Tiago Brandão Rodrigues, ish-ministër i Arsimit, Rinisë dhe Sporteve. Të pranishmit raportojnë se ka pasur dhjetëra grabitje dhe sulme.
UEFA mbrohet duke vënë në dukje se kishte bileta false, njerëz që përpiqeshin të futeshin tinëz dhe që gjeneruan bllokim në disa dyer të stadiumit, si ajo Z, e cila u mbyll plotësisht për gati një orë. “Në orën 21:00 brenda stadiumit ndodheshin vetëm 47% e tifozëve të Liverpool-it, krahasuar me 97% të tifozëve të Real Madridit. Ka pasur një numër të madh biletash false dhe 70% e tyre kanë kaluar filtrin e parë”, – tha ministri i brendshëm i Francës.
Ndeshja filloi me 36 minuta vonesë dhe ende jo të gjithë tifozët kishin mundur të hynin në vendet e tyre. Bilanci në fund të natës ishte 68 të arrestuar, 39 prej të cilëve në gjykatë, dhe 174 të plagosur lehtë. Ndjenja e pasigurisë ishte totale, madje edhe paniku.
Një tifoz i Liverpool-it, i shtrirë në tokë pasi u spërkat me spraj piperi, e krahasoi situatën me Hillsborough (në vitin 1989, një ortek që shkaktoi 97 vdekje dhe 766 lëndime; hetimi sqaroi se i vetmi shkaktar i katastrofës kishte qenë tejkalimi i kapacitetit, një organizim shumë i dobët).
Tifozët e “Reds” e ndjenë këtë “déjá vù” dhe kërkuan përgjegjësi që natën e 28 majit. Presidenti i klubit sulmoi ministrin francez të sportit. “Ata erdhën për të na marrë gjithçka, për të na grabitur, por edhe xhandarët na hodhën spraj piperi, goditën me plumba gome ndaj nesh. Ne zbritëm në Metro dhe ishte si një kurth miu.
Nëse provoje të dilje jashtë për të kërkuar një taksi, ata ju kërkonin 300 euro për t’u larguar që andej”, – tha Enrique Cazorla, një partner i Real Madridit që nga viti 1987, për “El Mundo”. Mediat angleze në kronikat e tyre flisnin për “tmerr”, ndërkohë që ato francize e krahasuan me finalen e Madridit në vitin 2019.
Ja deklarata e Real Madridit:
“Duke pasur parasysh ngjarjet fatkeqe që ndodhën më 28 maj në afërsi dhe hyrje të ‘Stade de France’, duke përfshirë edhe vetë stadiumin, Real Madrid C. F. dëshiron të deklarojë sa vijon në mbrojtje të mbështetësve tanë, që ishin ‘viktima’ të këtyre fakteve:
1. Duam të dimë se cilat ishin arsyet që e motivuan atë përcaktim të vendit të finales dhe cilat kritere u morën në konsideratë, duke marrë parasysh atë që ndodhi atë ditë.
2. Po kështu kërkojmë përgjigje dhe shpjegime që përcaktojnë se kush ishte përgjegjës për lënien e tifozëve të pafuqishëm dhe të pambrojtur, sjellja e përgjithshme e të cilëve ishte në çdo kohë shembullore.
Ne e kuptojmë se ajo që duhet të ishte një festë e madhe futbolli për të gjithë tifozët që ndoqën ndeshjen u shndërrua në ngjarje fatkeqe që kanë shkaktuar zemërim të thellë në mbarë botën.
Siç shihet qartë në pamjet e ofruara nga mediat, shumë prej fansave janë sulmuar, ngacmuar, grabitur dhunshëm. Disa ngjarje që kanë ndodhur edhe kur ata po lëviznin me makinat apo autobusët e tyre nga frika për integritetin e tyre fizik. Madje disa prej tyre u detyruan të kalonin natën në spital për lëndimet e marra.
Futbolli i ka transmetuar botës një imazh shumë larg vlerave dhe objektivave që duhet të ndjekë gjithmonë.
Ndjekësit dhe tifozët tanë meritojnë një përgjigje dhe që të pastrohen përgjegjësitë përkatëse në mënyrë që situata të tilla si ato të përjetuara të zhduken përgjithmonë nga futbolli dhe sporti”.