Të infektuarit me Covid-19 ishin pacientë, por në klinikën privatë të Zan Mitrev në Maqedoninë e Veriut, ata u trajtuan si minj laboratorikë me të cilët eksperimentohet. Pacientët morën vdekjen e Mitrev mori miliona.
Hetimi i IRL përveç që zbuloi se gjatë pikut të pandemisë, njerëzit ia mësynë spitaleve private për të paguar mijëra euro për të marrë shërbimet më të mira tregon se në fakt shumë morën vdekjen si rezultat i eksperimenteve, shkruan Nacionale.
Melita Brezevës i vdiq burri për të cilin thotë se nuk ishte e sigurt nëse mjekët po e trajtonin për Covid-19 apo për ndonjë sëmundje tjetër.
“Vdiq shumë shpejt, porsa hymë në dhomë. Kërkova një institut ku mund të raportoja se burri im nuk vdiq nga Covid-19, por nga diçka tjetër. Paguam 12 mijë euro paraprakisht. Me atë ofertë kundër Covidit-19, ne paguam edhe për pastrimin e gjakut (hemofiltrim) nëse do të ishte e nevojshme. Në fillim shkonte mirë, por pastaj ata thanë se duhet t’ia pastrojnë gjakun. Unë pyeta se a po e trajtoni Covidin apo diçka tjetër. Ndihem e mashtruar dhe e manipuluar, jeta ime është shkatërruar. Në spitale private gjithçka që ne dimë është se kush po i paguan faturat. Është e rëndësishme vetëm të paguhen paratë,” – thotë Melita e ve.
Zan Mitrev që ia pa hairin Covidit duke rrjepur financiarisht pacientët, kishte lënë Gjermaninë më 1999 për t’u kthyer në Maqedoni dhe për të hapur një spital publik, i cili më pas i kaloi në pronësi private.
Ljubcho Gerogievski tregon se si Mitrevit ju dhanë 23-24 milionë marka gjermane për ta hapur një spital që kryente operime të zemrës. Më pas, Mitrev krijoi monopol në këtë fushë.
Covid shpërtheu edhe në Maqedoninë e Veriut, e në atë kohë kaosi, njerëzit paguanin nga 500 deri në 1 mijë euro në ditë për trajtime në spitale private. Spitali i Mitrevit kërkonte 12 mijë euro paraprakisht për ta trajtuar pacientin, ndërkohë që familjarët u detyruan që të futeshin kredi dhe të shesin gjërat e tyre më të çmuara për ta përballuar faturën e spitalit privat.
Natyrisht, spitali i Mitrevit ishte marka më e mirë e spitaleve në Maqedoninë e Veriut dhe të gjithë i besonin atij para spitaleve publike.
Vetë Mitrev thoshte “Unë dhe klinika ime po tentojmë t’i aplikojmë metodat më moderne dhe kredibile të teknologjisë botërore dhe medicinës që pacientëve t’u japim një shans për t’u shëruar”.
“Sigurisht, ne i besuam Mitrevit për shkak të markës dhe reklamës ne TV, pastaj thuhej se ky spital po i shëron njerëzit e infektuar me Covid-19. Sëmundja e Covidit u shërua, por tani dolën probleme tjera… ndërkohë mjekët nuk na i tregonin rezultatet e testeve derisa ne kontaktuam doktoreshën Tanja Gramossli… pastaj burri im pati një sulm në zemër dhe ata e operuan, por na thanë se 48 orët e ardhshme janë kritike dhe duhet të përgatitemi për më të keqen… ne pritëm që pas operimit të zgjohej, por kjo nuk ndodhi dhe ata s’patën asnjë shpjegim për këtë… burri im vdiq pasi u infektua me katër lloje bakteresh” – thotë Melita.
Burri i Melitës asnjëherë s’shkoi në spital si pacient në gjendje kritike, por u hospitalizua për më shumë se dy muaj e gjysmë dhe mori 5 baktere nga spitali që i shkaktuan disa infeksione. Më pas u kuptua se kishte shumë raste të ngjashme.
Gazeta IRL kontaktoi një tjetër eksperte të fushës, doktoreshën Milena Stevanoviq, për ta pyetur nëse spitali i saj ka përdorur hemofiltrimin për ta luftuar Covidin.
Stevanoviq tha “Jo. Edhe pse e gjithë bota po tentonte të gjejë forma të tilla për ta luftuar Covid-19, hemofiltrimi nuk ishte pjesë e protokollit”.
Gjatë asaj kohe, IRL raporton se familjarët e viktimave ishin thirrur nga Mitrev në telefon ku doktori u bënte oferta se cilën pako të hemofiltrimit do ta zgjidhnin, atë të 3 mijë eurove, 4 mijë eurove apo 5 mijë eurove. Sigurisht, familjarët e pacientëve s’dinin cilën pako ta merrnin.
Hemofiltrimi apo pastrimi i gjakut në spitalin e Mitrevit kushtonte 5 mijë euro. Por, çka në të vërtetë ishte?
Mitrev në një intervistë për IRL thoshte se FDA e aprovon trajtimin, por nuk tregon se në cilin moment të përdoret.
Doktori ndërpritet nga gazetarja për t’i thënë se kjo s’është e vërtetë, FDA tregon se në cilin rast duhet të përdoret hemofiltrimi.
Më pas, Mitrev duke tentuar të nxirret nga situata thotë se doktorët gjermanë kishin nxjerr një përfundim se pastrimi i gjakut ka efekt tek pacientët e infektuar me Covid-19.
Ndërkohë që një ekspert i fushës që u kontaktua nga IRL siguron se kjo formë e filtrimit të gjakut lejohet vetëm kur ka indikacion të fortë.
Doktoresha Milena thotë se këto intervenime janë agresive dhe çdo intervenim agresiv ka rrezik për humbjen e pacientit.
Por, ky lloj i trajtimit për të cilin Mitrev u mori mijëra euro pacientëve, del se në fakt nuk ka asnjë argument se ndihmon kundër Covid-19.
Sipas FDA, kushdo që e përdor këtë metodë, është i obliguar ta njoftojë pacientin se ky trajtim nuk është i aprovuar dhe spitalet nuk duhet të sigurojnë se lufton Covidin.
Pra, ky trajtim nuk është test, por eksperiment. Ama pacientët kurrë nuk e ditën se janë pjesë e një eksperimenti.
Madje nëse krahasohen statistikat e pacientëve që kanë vdekur nga Covid-19 në klinikën infektive publike dhe ata që kanë vdekur në klinikën e Mitrevit, del se klinika publike në përqindje ka më pak pacientë të humbur – ani pse qytetarët po paguanin mijëra euro për ta gjetur kurën magjike të Mitrevit, që në fakt ishte eksperiment i tij, raporton IRL.
Doktorit MItrev i pëlqen që titullin e akademikut ta theksojë kudo që i jepet mundësia. Ndërkohë që pas hetimit të IRL, del se ky mjek në fakt s’është akademik fare, por një kompani me seli në Bullgari në fakt ia paska jep Mitrevit titullin “akademik”. Me këtë titull, Mitrev shiti punën e tij dhe u mori mijëra euro pacientëve.
Në dokumentarin investigim të publikuar nga IRL del se ky doktor “akademik” është edhe i lidhur me klasën politike atje.
Me lot në sy, familjarët e viktimave thonë se nëse do ta dinin se të afërmit e tyre ishin pjesë e eksperimenteve mjekësorë, kurrë nuk do të lejonin një gjë të tillë.
“Nëse do ta dija se burri im do të bëhej pjesë e eksperimenteve mjekësore, unë nuk do të lejoja një gjë të tillë. Klinika nuk na dha asnjë letër ku thuhej se pacienti mund të jetë në rrezik për jetën. Nuk ka treguan se trajtimi nuk ishte i aprovuar e as që ishte i sigurt. Burri im s’ishte derr në të cilin mund të eksperimentosh” – thotë Melita.
Nga 2002 deri më 2021, klinika e Mitrevit raportoi 32 milionë euro profit. Më shumë se gjysma ose 17 milionë euro Mitrev fitoi vetëm në dy vjetet kritike të pandemisë që shkaktoi Covid-19