23.5 C
Tiranë
Tuesday, September 24, 2024
spot_img

Turizmi në shqipëri, viti 2022 sjell tendenca të ndryshme, rriten çmimet e kërkesat

Sezoni turistik veror i këtij viti po shfaqet me tendenca të ndryshme, por të gjithë bien dakord se do të jetë një vit, më i mirë se ata që lamë pas në pandemi. Optimistët besojnë se do të kemi një vit edhe më të mirë se 2019-a, pesimistët afër këtij viti që ishte më i miri historik. Në praktikë, deri më tani, Durrësi po mban vendin e kampionit për turizmin e organizuar, me një kërkesë që shkon 30% mbi kapacitetin. Saranda, edhe pse nuk ka rritje të turizmit të organizuar, ka parë rritje interesi të të huajve individualë, kryesisht të rinj europianë. Vlora pret që të ketë një numër të konsiderueshëm të italianëve, kurse Himara mbetet e preferuara e familjarëve. Motori i turizmit pritet të ndizet plotësisht në pjesën e dytë të korrikut dhe gjithë gushtin. Çmimet e hoteleve kanë shënuar rritje nga 10-50% në gjithë vendin duke i bërë turistët më të kujdesshëm me shpenzimet.

Besoj edhe ju, në rrethin familjar apo shoqëror, keni dëgjuar tek-tuk t’ju pohojnë këtë verë fjalinë: Do të ik jashtë për pushime, kam gjetur një paketë shumë të mirë. Është e vërtetë që pas dy vitesh kufizime prej pandemisë, një pjesë e shqiptarëve kanë zgjedhur të pushojnë jashtë. Më tepër prej lirisë së fituar rishtazi pas kufizimeve, marketingut agresiv dhe paketave me të gjitha të përfshira të ofruara nga disa vende.

Në anën tjetër, vihet re rritje interesi nga turistët e huaj për Shqipërinë këtë sezon.

Rritja e flukseve turistike është një tendencë që po përjeton çdo destinacion, mjaft të hedhësh sytë nga fqinjët si Greqia, Mali i Zi, Kroacia. Të gjithë parashikojnë të kenë vitin më të mirë turistik, madje edhe më të mirë se viti 2019, që mbështetet në statistikat e fundit.

Për vendin tonë, tur-operatorët, njohësit e sektorit dhe përshtypjet nga terreni nuk tregojnë një panoramë vetëm të bardhë apo vetëm të zezë në këtë sezon. Është shumë më komplekse se kaq dhe tendencat që po shfaqen variojnë nga rajoni në rajon.

Pavarësisht problematikave dhe rezervave, shumica presin që ky të jetë një vit i mirë për turizmin. Kahu më pesimist e pret që të jetë disi më poshtë se shifra e 2019-ës, viti më i miri në historinë e turizmit në vend, kurse optimistët mendojnë se mund të jetë po aq i mirë sa ky vit, madje edhe me një rritje të lehtë.

Teksa pjesa e parë e sezonit ka kaluar, pjesa nga 15 korriku deri më 31 gusht parashikohet të jetë kulmi i sezonit për gjithë vendin. Ai që këtë vit ka shërbyer si faktor frenues është rritja e kostove e për rrjedhojë, çmimeve.

Durrësi, “kampion” i turizmit të organizuar, kërkesa mbi kapacitetet

Durrësi është rikthyer këtë sezon turistik me një rritje të kërkesës nga agjencitë e huaja për turizmin e organizuar. Teksa në pandemi, këto grupe ishin të kufizuara apo disa tregje munguan edhe plotësisht, këtë verë kërkesa është mbi kapacitetet.

Këtu bëhet fjalë gjithmonë për struktura me një numër të madh dhomash, të përshtatshme për këtë lloj turizmi. Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, shprehet se edhe kjo verë është e Durrësit dhe se ashtu si pjesa e parë e verës, edhe pesa e mbetur parashikohet të jetë e mirë.

“Durrësi është edhe në këtë sezon shumë mirë, flasim për qershorin e korrikun. Por pritshmëritë janë njëlloj dhe për në vazhdim. Të paktën, turizmi i organizuar është shumë më mirë sesa dy sezonet e kaluara, pasi heqja e kufizimeve dhe rikthimi i disa tregjeve që munguan gjatë pandemisë ka rritur numrat. Mund të themi që për strukturat akomoduese, të cilat përmbushin kushtet që kërkon ky lloj turizmi, kërkesa është gati 30% më e lartë mbi kapacitetin që kemi mundësi të ofrojmë”, – shprehet Kasa.

Por teksa për turizmin e organizuar ka një rritje të interesit ku këtë verë janë rikthyer edhe nordikët që munguan gjatë pandemisë, për turizmin individual, perceptimi është i ndryshëm. Blerim Norja, nga Royal G, shprehet se ky lloj turizmi në tërësi për Durrësin duket sikur ka pasur ecuri më të dobët në pjesën e parë të verës.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT