23.5 C
Tiranë
Tuesday, September 24, 2024
spot_img

“Beogradi të heqë dorë nga nxitja e grupeve kriminale në Veri të Kosovës”/ Meta: “Qeveria e Shqipërisë dhe Kryeministri i saj, nuk duhet të bëjnë lojën e strucit”

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e ka konsideruar situatën e krijuar mbrëmjen e djeshme në Veri të Kosovës, një tensionim artificial me urdhër të Beogradit.

Meta akuzoi Serbinë se sa herë gjendet në pozita jo të favorshme dhe i duhet të pranojë marrëveshjet që vetë ka firmosur në Bruksel, përdor grupe kriminale në Veri për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin.

Reagimi i Partisë së Lirisë:

Pas një tensioni artificial të krijuar në Veriun e Kosovës dhe në Pikat e Kalimit Kufitar Kosovë-Serbi, të nxitur nga ana e Beogradit, jemi të kënaqur që situata tani është shumë më e qetë dhe po shkon drejt stabilizimit të plotë.

 

Edhe këtë herë klasa politike në Kosove, pozitë dhe opozitë së bashku, treguan pjekuri politike dhe ishin njëzëri në mbrojtje të interesit shtetëror, integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe sundimit të ligjit.

 

Ngjarjet e mbrëmshme janë tregues i qartë që Serbia nuk është e interesuar të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të ndërmjetësuara nga faktori ndërkombëtar, të firmosura në Bruksel me Kosovën, përkundrazi i bllokon ato dhe i keqpërdor maksimalisht vetëm në interes të politikave destruktive dhe destabilizuese duke u fshehur pas grupeve kriminale në Veri të Republikës së Kosovës.

Lëvizja e lirë e qytetarëve dhe e mallrave është në themelet e Bashkimit Europian. Në BE nuk mund të shkohet me bllokime të marrëveshjeve ndërkombëtarisht të obligueshme, siç po bën Serbia.

Nxitja e tensioneve nga ana e Serbisë në Veri të Kosovës dhe më gjerë në rajon, është në dëm jo vetëm të rajonit tonë, por edhe mbarë Europës.

Siguria dhe stabiliteti në rajonin tonë është sot më i domosdoshëm se asnjëherë tjetër.

Institucionet e Kosovës treguan pjekuri dhe mençuri që bashkëpunuan dhe pranuan këshillën e aleatëve perëndimorë, BE dhe SHBA, që për 30 ditë të shtyhen masat e reciprocitetit të kalimit të qytetarëve, mallrave dhe mjeteve motorike me Serbinë.

Bashkimi Europian duhet të jetë më këmbëngulës dhe të detyrojë Serbinë të zbatojë marrëveshjet e firmosura me Kosovën, si dhe të jetë i qartë se çdo tendencë për destabilizimin e rajonit do të dënohet dhe do të ndëshkohet ashpër.

Beogradi të heqë dorë nga nxitja e grupeve kriminale në Veri të Kosovës me qëllim destabilizimin e situatës. Kosova dhe Serbia të bashkëpunojnë ngushtë kundër krimit të organizuar, edhe përmes Europolit dhe Interpolit.

Qeveria e Shqipërisë dhe Kryeministri i saj, nuk duhet të bëjnë lojën e strucit nga halli se i mbetet qejfi shefit të “Ballkanit të Hapur”, por të pozicionohet qartë në krah të Kosovës dhe të drejtës së saj. Siç e pamë qartë dje, Serbia mbylli kufijtë, KM mbyll gojën.

Partia e Lirisë vlerëson se është koha të arrihet marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, si një paketë e plotë, që do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemet mes të dy vendeve.

Çdo zgjidhje e pjesshme dhe jo tërësore, do të jetë një shteg i hapur për tensione të vazhdueshme dhe me kosto të lartë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë.

Procesi i Berlinit dhe integrimet euro-atlantike, janë e vetmja rrugë e drejtë dhe e sigurt për të gjithë rajonin.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT