1.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

PD denoncon aferën e inceneratorëve: “Shteti shqiptar i del garant kompanisë së Zotos duke shtetëzuar me paratë e qytetarëve”

Partia Demokratike ka vijuar edhe sot me denoncimin e aferës së inceneratorëve. Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Akil Kraja ka denoncuar ndërhyrjen e qeverisë shqiptare për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës në një pronë 100% publike.

Në një deklaratë për mediat, Kraja tha se përpara se të lidhej kontrata me kompaninë e Klodian Zotos, toka në Landfillin e Sharrës ishte 39% private.

Sipas tij, qeveria ndërhyri duke e transformuar tokën 100% publike në mënyrë që t’i hapte rrugë projektit të ndërtimit të inceneratorit të Tiranës.

Deklaratë e anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD, Akil Kraja 

Prej javësh denoncojmë çdo ditë, me fakte dhe prova, vjedhjet miliona euroshe nga inceneratorët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.  Për nga vlerat e abuzuara, janë në lojë mbi 430 milion euro; për nga individët e përfshirë, Kryetarë Bashkish, Ministra e vetë Kryeministri; për nga skemat e përdorura, kompani guacë brenda dhe jashtë vendit në pronësi njerëzish të vdekur apo në azil; gjithçka në këtë skandal përbën një mega-aferë. 

Një mega aferë tejet komplekse dhe që dëshmon se hajdutët në fakt janë vetë qeveritarët. Sot do të ndalemi tek Landfilli i Sharrës në Tiranë pasi mega-skandali nuk prek vetëm inceneratorët por të gjithë zinxhirin e menaxhimit të mbetjeve.  

Flasim gjithmonë për të njëjtën kompani “Integrated Energy B.V.” e cila nuk paguhet vetëm për të djegur plehrat që nuk digjen askund.  

Më konkretisht, Landfilli i Sharrës ku do të ndërtohej projekti imagjinar i inceneratorit ka qenë në pronësi të shtetit me mbi 60% të tij. Sipas studimit të fizibilitetit të Ministrisë së Mjedisit, gati 39% e tokës ku parashikohej të shtrihej koncesioni i inceneratorit ishte në pronësi private.  

Çfarë ndodh: shteti shqiptar i del garant kompanisë së Zotos duke shtetëzuar me paratë e qytetarëve, dhe pjesën e truallit që ishte private. Çka do të thotë që i gjithë projekti fantazëm do të ndërtohej mbi një truall 100% publik. 

Nga ku pesë pyetjet e rradhës: 

  1. Sa është vlera në miliona euro, që shteti shqiptar, ka kompensuar deri më sot në emër të Integrated Energy pronarët privatë të truallit në Sharrë?  
  2. Sa është numri i gjyqeve që shteti shqiptar ka më pronarë të truallit që kërkojnë një kompensim më të lartë, dhe sa është parashikimi i detyrimeve totale në fund të këtyre gjyqeve?
  3. A mund të jetë ky truall publik, prej 15 hektarësh, objekt sekuestrimi nga bankat kreditore të Klodian Zotos për kreditë e mos-kthyera nga ai, dhe sa shkon humbja në total për shtetin shqiptar?   
  4. Sa është fitimi në miliona euro, që e njëjta kompani fantazëm ka nxjerrë nga faturimi i depozitimit inerteve të ndërtimit në këtë truall publik?  
  5. Përse Bashkia Tiranë vijon ta lejojë këtë kompani fantazëm, një nga administratorët e të cilës është objekt hetimi dhe kërkimi ndërkombëtar, të vjelë miliona euro fitime nga përdorimi i një trualli publik si Landfilli i Sharrës ?  

Përgjigjja është vetëm një. Sepse këto janë punë plehrash, punë hajdutësh, punë fantazëm për një mega-aferë qindra milionëshe.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT