8.5 C
Tiranë
Saturday, November 30, 2024
spot_img

Ndërtimet pa leje, Prokuroria Lushnjë ekzekuton 8 masa sigurie për ish-zyrtarë të IMT dhe punonjës të policisë

Prokuroria Lushnjë ka lëshuar 8 masa sigurie për disa ish-zyrtarë të IMT për ‘Shpërdorim Detyre’ dhe punonjësve të policisë për korrupsion pasiv, te cilat gjykata i ka lene ne fuqi.

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË LUSHNJË

Ndërtimet pa leje, Prokuroria Lushnjë ekzekuton 8 masa sigurie për ish-zyrtarët e IMT për ‘Shpërdorim Detyre’ dhe punonjësve të policisë për korrupsion pasiv.

Mbi bazën e materialeve të dërguara nga Komisariati i Policisë Lushnjë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë ka regjistruar procedimin penal Nr.806/2021, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal, lidhur me objektin në “restaurim”, me adresë në fshatin Ardenicë, Lushnjë, konstatuar nga policia gjyqësore me procesverbalin “Për këqyrjen e vendit të ngjarjes”, datë 28.10.2021, si dhe disa verifikimeve shtesë të kryera.

Bazuar në nenet 79 e 92 të Kodit të Procedurës Penale, me këtë çështje penale është bashkuar në datën 22.09.2022, çështja penale nr. 807, viti 2021, e cila ka filluar mbi bazën e materialeve referuese të dërguara nga Komisariati i Policisë Lushnjë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, në ngarkim të kryeinspektorit dhe inspektorëve të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Bashkia Lushnjë, lidhur me ndërtimet pa leje të kryera në territorin e Bashkisë Lushnjë gjatë vitit 2021.

Gjatë hetimeve të çështjes penale nr. 807, viti 2021, janë dokumentuar edhe raste të tjera ndërtimesh të kundraligjshme të kryera deri në muajin mars 2022, si dhe në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Gjyqësore pranë Agjensisë së Mbikëqyrjes Policore (A.M.P), u dokumentua një episod korrupsioni aktiv/pasiv mes shtetasve E.Sh. e P.T. dhe shtetasve B.H. e H.T., këta të fundit me detyrë punonjës të policisë.

Nga tërësia provave, provohet se, shtetasi Gj.M, me detyrën e ish kryeinspektorit të I.M.T.Bashkia Lushnjë, si dhe shtetasit I.B., K.S. dhe Xh.Z., me detyrën e inspektorve të I.M.T., Bashkisë Lushnjë, nuk kanë ushtruar detyrën e tyre në përputhje me ligjin për të paktën 29 (njëzet e nëntë) raste të ndertime pa leje (nga këto dy në kundërshtim me deklaratë për miratimin e punimeve) të kryera në territorin administrativ të Bashkisë Lushnjë gjatë periudhës janar 2021 – mars 2022.

Nga këto, për 20 (njëzet) ndërtime të kundraligjshme të kryera në emër të subjekteve të ndryshëm, nuk janë mbajtur procesverbale konstatimi të kundravajtjes, vendime për dënime me gjobë apo vendime për prishje objekti të paligjshëm nga I.M.T., Bashkia Lushnjë, ndërsa për 9 (nëntë) ndërtime të kundraligjshme në emër të shtetasve të ndryshëm janë marrë masa administrative pas vënies në dijeni të ndjekjes së këtyre rasteve nga organet hetimore, pas informacionit të kërkuara nga prokuroria lidhur me to. Po ashtu, në asnjë rast nuk janë përpiluar kallëzime penale ndaj subjekteve ndërtues, sikur kërkohet nga ligji.

Në këtë mënyrë, personat e mësipërm nuk kanë përmbushur detyrimet e parashikuara në ligjin nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e paligjshme” i ndryshuar, si dhe ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera, duke përdorur mjete të posaçme të kërkimit të provës, ka rezultuar edhe një episod korrupsioni aktiv/pasiv, ku konkretisht, në datën 25.02.2022, punonjësit e policisë H.T. dhe B.H., në shërbim në vendin e quajtur “Gosë”, Kavajë, kanë ndaluar mjetin kamionçinë “Ford Transit”, nën drejtimin e shtetasit E.Sh., dhe pas kontrollit të dokumentacionit kanë konstatuar mungesë të policës së sigurimit për mjetin. Në këto kushte, punonjësit e policisë duhet të procedonin me masë administrative drejtuesin e mjetit. Përndryshe, këta punonës policie kanë kryer ndërveprime korruptive me drejtuesin e mjetit E.Sh. dhe pronarin e mjetit P.T. dhe më pas e kanë lejuar të largohet pa e proceduar/gjobitur administrativisht sipas ligjit.

Në lidhje sa më sipër, mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë, me vendimin gjyqësor Nr. 211 (1953), datë 17.10.2022, ka vendosur:

1. Caktimin ndaj personit nën hetim Gj.M. si masë sigurimi personale atë të “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedures Penale.

2. Caktimin si masë sigurimi personal atë të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, konkretisht nga ajo e inspektorit pranë Bashkisë Lushnjë, në bazë të nenit 242 të KPP, ndaj shtetasit I.B., i hetuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i i Kodit Penal.

3. Caktimin ndaj personit nën hetim I.B. si masë sigurimi personale atë të “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

4. Caktimin si mase sigurimi personal atë të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, konkretisht nga ajo e inspektorit pranë Bashkisë Lushnjë, në bazë të nenit 242 të KPP, ndaj shtetasit K.S, i hetuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i i Kodit Penal.

5. Caktimin ndaj personit nën hetim K.S. si masë sigurimi personale atë të “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

6. Caktimin si masë sigurimi personal atë të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, konkretisht nga ajo e inspektorit pranë Bashkisë Lushnjë, në bazë të nenit 242 të KPP, ndaj shtetasit Xh.Z, i hetuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i i Kodit Penal.

7. Caktimin ndaj personit nën hetim Xh.Z si masë sigurimi personale atë të “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedures Penale.

8. Caktimin si mase sigurimi personal atë të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, konkretisht nga ajo e punonjësit të policisë, në bazë të nenit 242 të KPP, ndaj shtetasit H.T., i hetuar për veprën penale të “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 prg.,1 dhe 25 ii Kodit Penal.

9. Caktimin ndaj personit nën hetim H.T. si masë sigurimi personale atë të “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedures Penale.

10. Caktimin si masë sigurimi personal atë të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, konkretisht nga ajo e punonjësit të policisë, në bazë të nenit 242 të KPP, ndaj shtetasit B.H., i hetuar për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 prg. 1 i Kodit Penal dhe 25 i Kodit Penal.

11. Caktimin ndaj personit nën hetim B.H. si masë sigurimi personale atë të “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

12. Caktimin ndaj personit nën hetim P.T. si masë sigurimi personale atë të “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqesore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedures Penale.

13. Caktimin ndaj personit nën hetim E.Sh. si masë sigurimi personale atë të “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

Nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në bazë të këtij vendimi penal, u lëshua me datë 17.10.2022 urdhër ekzekutimi përkatës për ekzekutimin e masave të sipërcituar.

Me vendimin e datës 20.10.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë ka verifikuar masat e sigurimit të dhënë në mungesë, duke lënë në fuqi masat e sipërcituar për personat nën hetim.

Më tej, organi i akuzës vazhdon hetimin në drejtim të funksionarëve të tjerë të përfshirë në veprimtari që bien ndesh me ushtrimin e rregullt të detyrës apo të personave të ndryshëm që kanë shkelur ligjin.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT