Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij u ndal tek pasojat e luftës në Ukrainë, e cila sipas tij ka krijuar një inflacion të lartë në gjithë botën.
Sipas tij, në këto kushte, vendet e Ballkanit duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për të përballuar çmimet, sidomos asaj të energjisë.
“Ka inflacion të luftës, i cili ka vënë në vështirësi vende, nga ato të pasurat dhe ato më pak të pasura, sic jemi dhe ne dhe RMV-ja. S’ka asnjë rrugë tjetër në përballimin e kësaj kohe, përveç bashkëpunimit, krijimit të sinergjive të reja dhe adoptimit me një situatë ku në të gjithë në rajon jemi të vegjël për të qëndruar me kurriz ndaj njëri-tjetrit dhe kemi shumë për të bërë njëri me njëri tjetrin”, tha ai.
Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçeski, theksoi se kjo mbledhje thellon bashkëpunimin e dy vendeve, ndërsa shtoi se duhet bërë më shumë për të krijuar mundësi punësimi për të rinjtë që të shohin të ardhmen në vendin e tyre dhe jo diku gjetkë.
“Kjo mbledhje thellon bashkëpunimin mes dy vendeve tona”, tha ai.