Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë po mbajnë sot një seancë të përbashkët me rastin e 110-vjetorit të pavarësisë.
Në fjalën e tij, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj u shpreh se në çdo takim me partnerët ndërkombëtarë në nivel institucional dhe ndërpartiak, Kosova, interesi i saj, konsolidimi e moscënimi i sovranitetit dhe integritetit të saj, ka qenë kryefjala e PD.
Fjala e plotë:
Kjo mbledhje është e veçantë, unike. Që nga Lidhja e Prizrenit, nuk ka patur përgjatë më shumë se një shekulli, një takim të tillë të përfaqësuesve të popullit shqiptar. Sot në këtë sallë është mbledhur kombi, nga Mitrovica deri në Konispol.
Sot ne jemi mbledhur në përkujtim te 28 nëntorit, ditës kur Ismail Qemali ngriti për herë të parë në Vlorë flamurin kuqezi dhe shpalli mëvetesinë e Shqipërisë, e asaj Shqipërie që mbeti nga orekset shoviniste të fqinjeve që coptuan gjysmën e territoreve etnike që coptuan kombin. Edhe kjo copë e Shqipërisë e shpëtuar nuk do të kishte ekzistuar nëse Kosova nuk do të ishte larë në gjak nga kryengritjet e lufta me armë e shqiptarëve në mbrojtje të kësaj lirie e mëvetësie.
Lufta e kryengritjet e Kosovës bënë të mundur të mbijetonte shteti i parë shqiptar në gjysmën e territoreve etnike. E kane festuar shqiptarët përgjatë gjithë historisë këtë ditë, dikush si ditë flamuri, dikush si ditë pavaresie. Por unë mendoj që cilësimin e plotë si ditë pavarësie 28 nentorit tonë, ia ka dhënë një ditë tjetër po aq madhore ne historinë tonë kombëtare, ai është 17 shkurti dita e pavarësisë së Kosovës. Përsa kohë Kosova ishte e shtypur, as Shqipëria nuk mund të ishte e lirë. E derisa Kosova nuk ishte e pavarur as Shqipëria nuk do të ishte e pavarur.
Vetë fakti që një takim i tillë i të gjithë përfaqësuesve të popullit shqiptar u bë i mundur vetëm pas më shumë se një shekulli është prova e qartë se sa e vështirë se me sa kundërshti, mund e sakrifice njerëzore ka qenë udhëtimi i shqiptarëve në mbrojtje të identitetit kombëtar.
Sot është dita për të përkujtuar e përulur me nderim të gjithë atyre që ia dedikuan mendjen, punën edhe jetën, lirisë e pavarësisë tonë.
Unë në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike ju uroj mirëseardhjen në Tiranë të gjithëve ju vëllezërve e motrave nga Kosova.
Partia Demokrarike që në ditën e parë të themelimit përgjatë gjithë jetës së saj, në situata ngritje apo rënie, në kushte mazhorance apo opozite e ka patur çështjen e Kosovës e të gjitha sfidat e saj, në qendër të vëmendjes dhe prioritet të angazhimit të saj.
Nuk ka asnjë sekret të pohojmë se qëndrimet tona në çështje të raporteve strategjike në politike të jashtme, percaktohen nga dy elemente që mbeten të palëvizshëm në çdo rrethanë, miqësia strategjike e pacenueshme me SHBA dhe interesi i Kosoves. Nuk ka e nuk do të ketë asnjë akt, qëndrim e sjellje të PD, pa këto dy kolona të panegociueshme në politikën e jashtme.
Për historikun e këtij qëndrimi në raport me interesin e Kosovës do të duheshin orë të tëra ta përshkruanim, por më lejoni të sjell në vëmendje aktivitetin e angazhimin tonë ne kohëve të fundit.
Në çdo takim me partnerët tanë ndërkombëtarë në nivel institucional dhe ndërpartiak, Kosova, interesi i saj, konsolidimi e moscënimi i sovranitetit dhe integritetit të saj, ka qenë e mbetet kryefjala jonë.
Edhe pse në një mosdakordësi të plotë me qeverinë aktuale në Tiranë, PD ka votuar e mbështetur pa asnjë dilemë, çdo nisme që shkon në mbështetje apo me pjesmarrjen e Kosovës. Kemi mbështetur mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive dhe kemi kërkuar që marrëveshjet të implementohen në terren në mënyrë aktive e të mos mbeten në letër.
E se fundmi përshëndetëm e mbështetëm me votë realizimin e një projekti madhor “Enciklopedia Shqiptare”, si bashkëpunim mes Kosovës dhe Shqipërisë. Njëjtë kemi mbështetur e do të mbështesim çdo nisme që vjen në përafrimin dhe unifikimin e hapësirave ekonomike, kulturore dhe raportet mes dy vendeve tona.
Qëndrimi ynë i palekundur ka qenë e mbetet se çfarë është mirë për Kosovën, është mirë për Shqipërinë e nuk ka asgjë që bëhet mirë për Shqipërinë, nëse ajo po ashtu nuk i bën mirë Kosovës.
Partia Demokratike është e percaktuar në qëndrimin se dhe një ndër çështjet më delikate në rajon, siç është ai i i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ka të gjithë mbështetjen tonë për t’u zgjidhur ne dialog, por në ç’do rast ne, Partia Demokratike, do ta shohim Serbinë vetëm përmes syve të Kosovës. Ne jemi për paqen midis popullit serb e atij shqiptar, por të palekundur mendojmë se të drejtën e shpalljes së kësaj paqeje e ka Kosova e populli i saj.
Në mbështetje e në shërbim të të vërtetës historike të shqiptarëve në Kosovë, ne si PD, kemi depozituar në parlamentin e Shqipërisë, dhe jemi ende në pritje të shqyrtimit në seancë të Projekt-Rezolutes për të dënuar Genocidin Serb në Kosovë.
Kundërshtitë tona energjike ndaj një projekti si ish-minishengen apo Open Ballkan, i cili së fundmi edhe nga parlamenti evropian në dokumentin e strategjisë se zgjerimit u vlerësua me rezerva kundërshtuese, si i papërputhshëm me normat evropiane dhe që nuk garanton gjithëpërfshirje.
Kundërshtitë tona për këtë projekt kanë qenë mbi të gjitha, se Kosova kurrë nuk e pranoi, se ky ishte e mbetet një projekt që e fut çështjen e Kosovës dhe rolin e shqiptarëve në Ballkan në një rrugë të dyshimtë e të paqartë.
Nuk kemi ndalur e nuk do te ndalim duke punuar për pranimin e integrimin e Kosovës dhe në organizma rajonale si COSAP etj.
Partia Demokratike ka votuar pa asnjë dyshim e rezervë dhe projekt- rezoluten per te dënuar akuzat e raportit të Dick Marty kundër UÇK dhe luftës së Kosovës për liri. Ne do të japim çdo mbështetje që kjo betejë për pastërtinë e luftës së UÇK të bëhet deri në fund dhe me sukses.
Të dashur vëllezër e motra!
Ne e dimë se Kosova sot është përpara një sfide të vështirë dhe delikate në perpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe në konsolidimin e sovranitetit dhe të shtetësisë së saj.
Partia Demokratike mbështet pa rezervë institucionet e Kosovës, Presidenten, Kryeministrin, Parlamentin, të gjithë aktorët politikë të Kosoves, në këtë sfidë aspak të lehtë.
Ne ftojmë për unitet në këto çaste sfiduese. Unitet brenda Kosoves dhe unitet mbarëkombëtar në këtë betejë të fundit dhe përcaktuese për pavarësi e liri. Jetike për fatet e kësaj beteje është gjithashtu mbështetja e partneriteti i palëkundur me partnerët tanë strategjikë SHBA dhe BE.
Une e di të dashur vëllezër se në shpatullat tuaja qëndron në këtë betejë një peshë e rëndë, por dua nga kjo foltore tu them se ju nuk jeni vetëm e nuk do të jeni kurrë vetëm në betejën finale të kombit për liri e dinjitet.
Çfarë do të ndodhë e sido të jetë, unë dua t’ju jap fjalën e besën se Partia Demokratike do të jetë përherë në krah e në mbështetje pa kushte të vullnetit të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj.