13.5 C
Tiranë
Thursday, November 28, 2024
spot_img

Vendosja e çmimit tavan për naftën ruse krijon probleme në Turqi, dhjetra anije mbeten të bllokuara

Çmimi tavan për blerjen e naftës ruse ka shkaktuar pa dashje një bllokim të anijeve që transportojnë karburant në ujërat pranë Stambollit, ndërsa Ankaraja vendos rregulla të reja pavarësisht trysnisë perëndimore.

Që nga hyrja në fuqi e çmimit tavan për naftën ruse, Ankaraka ka kërkuar që të gjitha anijet cisterna, që përdorin ngushticën e Bosfori të jenë të pajisura me siguracione.

Dhjetëra nga anijet më të mëdha në botë të transportit të naftës janë bllokuar në ujërat pranë Stambollit, pre e mospajtimeve në rritje mes Turqisë dhe aleatëve perëndimorë.

Që nga hyrja në fuqi e çmimit tavan për blerjen e naftës ruse, Ankaraka ka kërkuar që të gjitha anijet që përdorin ngushticën e Bosfori pranë Stambollit të kenë siguracione. Ekspertët thonë se kjo është domosdoshme duke patur parasysh rreziqet që mund t’i vijnë qytetit më të madh të Turqisë.

Zëri i Amerikës bisedoi me konsulentin për energjinë Mithat Rende, i cili më parë ka shërbyer si ambasador i Turqisë në Katar.

“Anijet e transportit të naftës duhet të kenë siguracione për mallrat që transportojnë, në rast aksidentesh, si përplasjet, apo derdhjet e naftës. Duhet patur parasysh se anijet kalojnë pranë një qytetit si Stambolli, ku jetojnë 16 milionë banorë. Problemi qëndron tek derdhjet e naftës dhe përplasjet”.

Sanksionet e reja kundër Moskës i ndalojnë kompanitë e sigurimeve që t’u shesin siguracione anijeve cisterna nëse nafta ruse që transportojnë shitet mbi kufirin e çmimit tavan.

Kompanitë perëndimore të sigurimeve argumentojnë se kërkesa e Ankarasë për siguracion të përgjithshëm mund t’i ekspozojë ato ndaj sanksioneve, nëse ngarkesa e anijes shkel kufirin ndërkombëtar të çmimit.

Ndërsa Ankaraja u ka kërkuar të gjitha anijeve cisternë që të blejnë siguracione, përfshirë ato që nuk transportojnë naftë ruse, Uashingtoni është shprehur i zhgënjyer.

“Kemi komunikuar me Turqinë për mënyrën se si kufiri i çmimit zbatohet vetëm për naftën ruse. Kemi shpjeguar se çmimi tavan nuk kërkon kontrolle shtesë në anijet që kalojnë nëpër ujërat turke. Praktikisht të gjitha anijet e bllokuara nuk po transportojnë naftë ruse dhe nuk preken nga rregulli i çmimit tavan”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.

Cisternat ruse po i përmbushin kërkesat e Ankarasë duke blerë siguracion të brendshëm dhe anashkaluar sanksionet ndërkombëtare. Disa analistë sugjerojnë se Ankaraja mund të kërkojë lëshime nga aleatët.

Zëri i Amerikës bisedoi në Stamboll me zotin Yoruk Isik, analist gjeopolitik me Institutin e Lindjes së Mesme me qendër në Uashington.

“Qeveria dhe presidenti turk përdorin manovra politike për të bërë marrëveshje për çëshjte të tjera. Nëse nuk ka zgjidhje, çështja do të bëhet më problematike. Aktualisht, gjëja më shqetësuese është se duket se jemi në një ngërç”.

Ankaraja ka disa mosmarrëveshje me Uashingtonin, mes tyre blerjen e avionëve luftarakë amerikanë, aktualisht të bllokuar nga Kongresi.

Të hënën pesë anije cisternë kaluan pranë Stambollit, shenjë e një përparimi të mundshëm. Analisti Mithat Rende thotë për Zërin e Amerikës se është e nevojshme arritja e një marrëveshjeje sa më parë, duke patur parasysh kushtet atmosferike në hemisferën veriore.

“Është e rrezikshme që cisternat me karburant të qëndrojnë njëzet apo tridhjetë kilometra larg nga këtu, nga ngushticat turke apo nga Stambolli.”

Ndërsa më shumë anije cisterna udhëtojnë drejt Stambollit, thonë analistët, po shtohet trysnia për një zgjidhje të ngërçit./ VOA

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT