5.5 C
Tiranë
Monday, November 25, 2024
spot_img

Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, kryenegociatorja për Bashkimin Evropian: “Forcoi mbështetjen për integrimin bazuar mbi merita”

Kryenegociatorja me Bashkimin Evropian Majlinda Dhuka, gjatë një konferencë të përbashkët me ministren e Jashtme Olta Xhaçka, u shpreh se mbajtja e samitit të BE-Ballkani Perëndimor forcoi mbështetjen për integrimin gradual të rajonit në BE bazuar mbi merita.

Ajo po ashtu tha se mbështetja unanime e vendeve anëtare dhe institucioneve të BE-së duke dhënë dritën jeshile për nisjen e negociatave në 2022-shin, shënoi një moment historik për vendin.

Deklarata e plotë e Olta Xhaçka:

Përshëndetje të gjithëve,

Me disa prej jush u takuam pak ditë përpara fundvitit të vitit, por më lejoni që t’’ju uroj një vit të mbarë të gjithëve përfaqësuesve të mediave. Shpresoj dhe uroj që viti që sapo ka nisur të jetë po aq i suksesshëm dhe produktiv sa viti që shkoi, sa i takon dikasterit që unë drejtoj.

Jemi të gjithë dëshmitarë të gjithë të faktit që 2022 ishte vit i paraprirë nga situata të vështira si pandemia COVID-19 dhe atëherë kur u duk se gjërat do ktheheshin në normalitet nisi lufta në Ukrainë, e cila krijoi sfida e vështirësi të reja.

Por më duhet të them që teksa shoh bilancin e punës së bërë në 12 muajt që lamë pas, ka qenë vit arritjesh të paprecedent.

2022 ishte viti që konfirmoi pjekurinë dhe profesionalizimin që ka arritur shërbimi i jashtëm shqiptar dhe diplomacia shqiptare, zëri i së cilës sot ka kaluar kufijtë e rajonit ku Shqipëria ka luajtur përherë një rol konstruktiv e duke u bërë aktor i respektuar nga partnerë, aleatë e vendi mike jo vetëm nga rajoni por edhe në mbarë arenën globale.

Nëse do ti shihnim 12 muajt si një vijë lineare besoj se janë 3 koordinatat kryesore.

2022 u hap me marrjen për herë të parë pas 65 vjetësh të mandatit në Këshillin e Sigurimit të OKB. E gjithë fushata e lobimit që e mundësoi këtë ishte një sfidë shumë e e madhe për ne pasi ishte hera e parë. Pasi ishte hera e parë ndërkohë që ka vende të tjera që janë ulur disa herë në këtë pozicion dhe sërish e gjejnë të vështirë si eksperiencë. Sot them se jemi krenarë me atë c’ka kemi arritur, pasi edhe pse një vend i vogël, me shërbim të jashtëm modest krahasuar me vendet e tjera të KS, ne kemi patur një performancë që është vlerësuar shumë nga progres raporti i fundit i BE, nga partnerët tanë amerikanë me të cilën ndamë bashkë-pen-mbajtjen për luftën në Ukrainë apo nga vendet mike dhe aleatë.

Duke dhënë kontribut për çështje të sigurisë globale, në respekt të vlerave të demokracisë, paqes dhe lirisë, nëpërmjet vendim marrjeve parimore dhe në shërbim të interesave kombëtare, politika e jashtme e Shqipërisë fitoi edhe me shumë respekt. Agjenda jonë në Këshillin e Sigurimit u dominua nga aktivitet i ngjeshur si bashkë-pen-mbajtëse me SHBA për Ukrainën, kontributet për çështjet prioritare të përcaktuara në programin tonë, aktivizimi në debatet e KS për çështjet me interes të drejtpërdrejtë për vendin (rajoni: Kosova dhe BH) dhe për aleatët tanë më të ngushtë. Vëmendje i është kushtuar Lindjes së Mesme, ku Shqipëria ka drejtuar komitetet e sanksioneve për Jemenin, Irakun dhe Libanin, si dhe për tema të tjera delikate që shkojnë deri tek Afrika veriore (Libia), kundërshtimi i armatimit bërthamor dhe programit të raketave të Koresë së Veriut, etj, sikurse dhe çështjeve të tjera tematike si të drejtat e njeriut, llogaridhënia (në rradhë të parë lidhur me sulmin rus kundër Ukrainës), barazia gjinore, agjenda Gruaja, Paqja dhe Siguria, metodat e punës të KS, etj.

Për këtë më lejoni që sot ti bëj edhe njëherë një falënderim të madh të gjithë punonjësve të shërbimit të jashtëm, sepse puna e bërë ka qenë e jashtëzakonshme.

Në mes të vitit kishim një tjetër ngjarje të jashtëzakonshme që ishte kurorëzim i një pune të madhe, siç ishte hapja e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian. Në fakt është një ngjarje që duhej të kishte ndodhur më herët por që u shty për arsye që nuk ishin në dorën tonë e që shkonin përtej mundësive tona për t’i ndryshuar. Por e rëndësishme është që ne sot kemi hapur negociatat për anëtarësim.

Plotësimi i piketave hapëse do të na mundësojë mbajtjen e Konferencës së dytë Ndërqeveritare që do të hapë negociatat për Grupkapitujt themelorë.

Për të arritur këtë progres, krahas realizimit të piketave hapëse që do të koordinohet nga Kryenegociatorja, MEPJ do të forcojë dialogun me vendet anëtare dhe me Komisionin Evropian. Bashkëpunimi më i ngushtë dhe prioritet do të jetë me Presidencën suedeze të Këshillit të BE dhe me atë spanjolle në gjysmën e dytë vitit që sapo ka nisur.

Kemi të drejtë të kërkojmë avancimin e shpejtuar të procesit të negociatave, mbi bazën e arritjeve tona në reformat që lidhen me procesin e integrimit. Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2022 vlerësoi qartë se pavarësisht nga sfida e trefishte e tërmetit, pandemisë dhe pasojave te agresionit rus kunder Ukraines, qeveria ka vazhduar te fokusohet me vendosmëri ne avancimin e reformave qe lidhen me axhenden e integrimit.

Dhe nder vlerësimet e Komisionit Evropian, me i larti është ai për politiken tone te jashtme: Shqipëria vlerësohet se ka bere progres te mire dhe ka nivel te mire përgatitjeje ne fushën e politikes se jashtme. Ky vlerësim përfshin si bashkimin tone me qëndrimet e BE ne politiken e jashtme atë të sigurisë, ashtu edhe rolin e Shqipërie si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e angazhuar në mënyrë aktive si bashkë-pen-mbajtëse e rezolutave që dënojnë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe pasojat humanitare te agresionit, votën tonë për pezullimin e Rusisë në Këshillin e Evropës dhe Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Ky qëndrim i Shqipërisë vlerësohet nga BE si ‘një sinjal i fortë i zgjedhjes strategjike për anëtarësim në BE dhe i rolit të saj si një partner i besueshëm’.

Një tjetër ngjarje  paprecedentë dhe shumë e madhe për të gjithë Shqipërinë ishte mbajtja në Tiranë të Samitit mes BE dhe Ballkanit Perëndimor, hera e parë që ky samit mbahet në një vend jo anëtar të BE, çka përbën një vlerësim të jashtëzakonshëm të vendit tonë.

Të gjitha këto janë dëshmi të transformimit të madh që ka pësuar Shqipëria duke u bërë sot një vend, që gëzon respektin e partnerëve e aleatëve. Ky samit ishte gjithashtu një mesazh i fortë që Bashkimi Evropian dha për perspektivën evropiane të të gjithë rajonit, çka merr një vlerë të posacme në kontekstin e luftës në Ukrainë. Siç e dini, ju që e ndiqni politikën e jashtme, rajoni ynë përmendet si pika e dytë më e rrezikuar nga përpjekjet e Rusisë për të minuar arkitekturën evropiane të sigurisë dhe sistemin e bazuar mbi rregullat.

Dhe këtë vit Shqipëria kryeson Procesin e Berlinit dhe do të mik-presë Samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit.Samitet në Tiranë në 2022 dhe 2023 janë shprehje e forcimit të rolit të Shqipërisë në rajon. Është nxitja nga Shqipëria e bashkëpunimit në rajon – për të cilën Ballkani i Hapur luan një rol kyç – që bëri të mundur përparimin që bëmë këtë vit në Procesin e Berlinit, duke nënshkruar marrëveshje mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve të vendeve të BP; njohjen e kualifikimeve akademike apo për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale të mjekëve të mjekësisë, stomatologëve dhe arkitektëve apo marrëveshja e shumëpritur për Uljen e Tarifave të Roaming ndërmjet BE-së dhe BP e cila u firmos në Tiranë më 6 dhjetor 2022 gjatë samitit. Nuk ishte e rastësishme që u zgjodhëm ne. Nuk ishte përzgjedhje të tipit “kujt i bie 10-ta është e vërteta” por ishte një përzgjedhje e qëllimshme bazuar në kritere objektive, duke parë tek Shqipëria partnerin më të përkushtuar ndaj integrimit evropian në rajon dhe tek shqiptarët faktorin më serioz të stabilitetit në rajon.

Përmenda 3 ngjarjet kryesore që kane shënjuar 2022 por në fakt gjatë vitit që shkoi shërbimi i jashtëm ka pasur një aktivitet shumë intensiv, të mbushur me ngjarje e aktivitete te ndryshme.

Forcimi i bashkëpunimit dypalësh u dëshmua përmes mbledhjeve ndërqeveritare me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, vizitat dhe marrëveshjet reciproke me Italinë, Turqinë, Greqinë, Gjermaninë, Zvicrën, të cilat kanë shënuar arritje të rëndësishme si përfundimi i negociatave me Italinë për marrëveshjen për pensionet dhe hapja e diskutimeve teknike me Greqinë për një marrëveshje për pensionet apo për njohjen e lejeve të drejtimit me Gjermaninë, përfitues të të cilëve janë drejtpërsëdrejti qytetarët shqiptarë.

Por padyshim një nga momentet vërtet të rendesishme të vitit që lamë pas  ishte edhe dialogu strategjik me SHBA.

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ri konfirmuan partneritetin strategjik dhe u angazhuan për të vijuar bashkëpunimin me interes të përbashkët në fusha si: mbrojtja, siguria kibernetike, energjia, transporti apo tregtia. Sekretari Blinken shprehu mirënjohjen e SHBA ndaj Shqipërisë si një aleat që gjithmonë ka marrë përsipër përgjegjësitë e saj; vlerësoi faktin që Shqipëria strehoi shtetasit afganë dhe nënvizoi se SHBA do të jenë gjithmonë në krah të vendit tonë. Në dialog morën pjesë përfaqësues nga 6 ministri si dhe nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtjes, i Tregtisë, Korporata Financiare për Zhvillimin Ndërkombëtar, si dhe agjenci të tjera qeveritare ku u diskutuan rrugët për të thelluar bashkëpunimin tonë strategjik.

Ky është veç fillimi i një procesi qe do te vazhdojë ne 2023 pasi nga dimensioni strategjik na duhet te zbresim tek dokumente e aktivitete konkrete  qe e thellojnë bashkëpunimin e partneritetit mes nesh. Një nga nismat me interesante qe po ndjekim është ideja e krijimit të një komiteti për bashkëpunimin ekonomik mes vendeve tona.

Por me lejoni të kthehem tek rajoni qe e lashë për në fund për t’i kushtuar vëmendjen e duhur. Vërtet sot ne kemi mundësinë të kontribuojmë në OKB e në debatet për disa çështje të rëndësishme globale. Por sigurisht arena më e rëndësishme ku preken në mënyrë më të drejtpërdrejtë interesat tona, qoftë ato kombëtare qoftë ato shtetërore është rajoni.

Dhe besoj që gjatë 2022 kemi dhënë prova që kemi ditur ta shfrytëzojmë avantazhin që na ka dhënë KS për të forcuar rolin tonë në rajon e për të avancuar politika që janë në interes te rajonit.

Shqipëria mbajti kryesinë e Nismës Adriatiko-Joniane dhe Strategjisë së BE për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit në pranverën e vitit 2022 e pak muaj më pas mikpritëm Forumin e Ministrave të Jashtëm të NAJ-EUSAIR. Gjatë presidencës u nxit bashkëpunimi në fusha të ndryshme; turizëm, kulturë, çështjet rinore, ekonomi, infrastrukturë, digjitalizim, integrim dhe shumë të tjera.

Gjatë vitit 2023 do ta forcojmë më tej rolin tonë pro-aktiv në rajon, me mikpritjen që përmenda të Samitit të radhës të Procesit të Berlinit, por jo vetëm:

  • Shqipëria do të marrë kryesinë e Fondit për Ballkanin Perëndimor për periudhën janar – dhjetor 2023.
  • Do të ndjekim procedurat për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të nënshkruara në nëntor 2022, në kuadër të procesit të Berlinit (përfundimi i procedurave ratifikuese).
  • Do të ndjekim zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Ballkanit të Hapur.

Do të thellojmë bashkëpunimin, edhe me mbajtjen e takimeve G2G me Kosovën, me shkëmbimin e diplomatëve midis dy ministrive të jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë dhe përfundimin e procedurave për Konsullatat e Përbashkëta.

Do të thellohet bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut, sidomos puna e përbashkët për Korridorin VIII, që do të thotë se përtej bashkëpunimit dypalësh, do të ketë një dialog të forcuar për Korridorin VIII edhe me Bullgarinë dhe Italinë.

Me Italinë, do të nxitet fillimi i zbatimit të marrëveshjes për pensionet dhe me Greqinë do të vijojë mbajtja e takimeve teknike për përfundimin sa më shpejt të marrëveshjes për pensionet. Do të vijojë puna teknike për përgatitjen për negociatat me Greqinë për arritjen e një kompromisi mbi pyetjet që do t’i shkojnë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me çështjen e kufizimit të zonave detare. Arritja e këtij kompromisi që do të bënte të mundur referimin e çështjes në Gjykatë.

Po planifikojmë aktivitete të përbashkëta për 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Turqinë.

Sa i përket marrëdhënieve dypalëshe përtej rajonit tonë, gjatë 2022 është realizuar nje agjende intensive bilaterale, sa i takon realizimit të vizitave në nivele të larta, në nivel Presidenti Republike, Kryeministri, Kryetare Kuvendi, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në të gjitha këto takime është lobuar dhe marrë mbështetje për integrimin Evropian te Shqipërisë, është konfirmuar vullneti për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale, është përmirësuar baza ligjore e bashkëpunimit, përmes nënshkrimit të marrëveshjeve, si dhe është lobuar për mbështetje kandidaturash e qëndrimesh në organizatat ndërkombëtare. Fokus i veçante i është kushtuar lobimit për çështjen e Kosovës dhe luftës në Ukrainë.

Gjatë këtij viti, do te vijohet me  intensifikimin e agjendës bilaterale dhe forcimin e mbulimit diplomatik :

  • Pritet hapja e Ambasadës sonë në Ukrainë,
  • Pritet hapja e Ambasadës se Azerbajxhanit në Tiranë dhe zyrtarizmi i vendimit për hapjen e Ambasadës sonë në Baku,
  • Janë konfirmuar një sërë vizitash në nivel Presidenti, Kryeministri, ministër i Jashtë etj.

Viti 2023 shënon vitin e dytë dhe të fundit për Shqipërinë si anëtare e zgjedhur jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit dhe shpreh bindjen e plotë se edhe gjatë këtij viti do të vijojmë angazhimin tonë me përkushtim maksimal në ndjekjen e çështjeve rajonale si edhe ato tematike të KS që kanë të bëjnë me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Në muajin shtator 2023 vendi ynë do të mbajë për herë të dytë Presidencën e KS gjatë këtij mandati. Në këtë kuadër, brenda muajit janar, do të përcaktojmë aktivitetet shënjuese të Presidencës sonë duke marrë parasysh tematikat prioritare në KS, përfshirë këtu edhe temën mjaft aktuale për vendin tonë, atë të sigurisë kibernetike.

Duke pasur parasysh se agresioni rus kundër Ukrainës që përbën kërcënimin më serioz ndaj paqes dhe sigurisë në Evropë e më gjerë, një theks i veçantë i punës së KS do të ketë vijimi i ndjekjes së dosjes së Ukrainës, ku do të vijojmë angazhimin serioz si bashkë-pen-mbajtës së bashku me SHBA.

Gjithashtu, mbetemi tërësisht të angazhuar në diskutimet në KS për rajonin tonë, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën por njëkohësisht edhe të çështjeve në vendet dhe rajonet që janë në qendër të vëmendjes së aktivitetit të Këshillit si në procesin e paqes në Lindjen e Mesme (Izrael / Palestinë), në Siri, por edhe në vende dhe rajone të tjera të botës si në kontinentin afrikan. Po kështu, trajtimi i rrezikut dhe kërcënimeve që paraqet Koreja e Veriut me lëshimin e raketave të saj përbën një nga çështjet që ndiqet me vëmendjen e duhur si dhe do të jetë në fokus të Japonisë, që mban Presidencën e Këshillit të Sigurimit për muajin janar.

Mbetemi te përkushtuar plotësisht për ta kurorëzuar me sukses të plotë mandatin tonë të parë në KS që është një moment historik i madh për Shqipërinë, politikën e saj të jashtme dhe diplomacinë, por edhe për shqiptarët në përgjithësi.

Në vitin që sapo u mbyll forcuam gjithashtu edhe angazhimin me diasporën shqiptare, në ruajtjen & konsolidimin e identitetit shqiptar përtej kufijve dhe konkretizim të mëtejshëm të kontributit të diasporës në vendin amë, nëpërmjet miratimit të tekstit të përbashkët: Gjuha dhe Kultura shqiptare; hartimit por edhe rishikimit të bazës ligjore për diasporën apo Agjencinë Kombëtare të diasporës, mes të tjerave edhe takimit aq frytdhënës vetëm 3 javë më parë me Këshillin Koordinues të Diasporës. Shumë shpejt do të organizohet në Tiranë samiti i 3-të i Diasporës ku do të përcaktohen projektet për të ardhmen si dhe do të ngrihet Qendra Kulturore Shqiptare në Athinë, në mbështetje të ruajtjes së identitetit shqiptar, veçanërisht përmes mësimit të gjuhës dhe historisë.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja: vazhduam gjatë vitit 2022 të rrisim dhe përmirësojmë shërbimeve konsullore:

  • 202 mijë shërbime konsullore u ofruan në 12 muajt që lamë pas
  • Totali i legalizimeve për dokumentet për përdorim jashtë vendit 700,000;
  • Numri i shtetasve që janë pajisur me pasaportë dhe ID Card nëpërmjet aplikimit në PDK është 90,000;
  • Përfundoi me sukses projekti “Ishujt” ne Greqi, nga i cili përfituan rreth 1000 shtetas;
  • Është ofruar për here te pare pajisja me dokumente biometrike ne ambientet e vuajtjes se dënimit për shtetasit tanë ne Greqi, prej te cilit kanë përfituar 36 shtetas, projekt i cili do te vijoje edhe me tej te zbatohet ;
  • Është zgjeruar harta e shteteve në të cilët ofrojmë pajisjen me dokumente biometrike edhe me Përfaqësinë tonë në Otavë, Kanada.
  • I është dhënë rëndësi e veçante te gjitha kërkesave (te mbërritura vendet e BE, Nju Jork) të shtetasve shqiptarë në kushte te vështira shëndetësore spitalore ose rrëgjim shtrati në shtëpi, ndërsa kanë përfituar shërbimin 76 shtetas.
  • Janë trajtuar nga e-visa 20,615 aplikime për vizë shqiptare nga shtetas të huaj,

Mbi bazën e arritjeve që ju paraqita dhe planeve tona ambicioze për këtë vit, teksa hedhim sytë pas nga viti që po mbyllet, besoj që me gjithë vështirësitë që na është dashur të përballojmë, besoj që kemi arsye për t’u ndjerë krenarë, e mbi të gjitha, kemi arsye për të parë me optimizëm nga viti që po vjen, me bindjen që do të jetë më i suksesshëm dhe më i begatë.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT