Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka vizituar ditën e sotme gjimnazin “Qemal Stafa”, një prej institucioneve arsimore ku ka nisur zbatimi i programit “Smart City”, me fokus rritjen e sigurisë në shkolla.
Gjatë vizitës, Lamallari pa nga afër sistemin e kamerave të instaluara në ambientet e gjimnazit, ndërsa theksoi se teknologjia e avancuar dhe inteligjenca artificiale do të jenë pjesë e masave të reja për krijimin e një mjedisi më të sigurt për nxënësit dhe stafet pedagogjike.
“Jemi këtu për të parë nga afër pikërisht fillimin e zbatimit të programit ‘Smart City’ për sigurinë në shkolla”, u shpreh Lamallari.
Ministri shtoi se gjimnazi “Qemal Stafa” dhe nxënësit e tij do të jenë ndër të parët që do të përfitojnë nga masat e shtuara të sigurisë përmes përdorimit të teknologjisë.
Sipas Lamallarit, sistemi i ri kombinon teknologjinë e avancuar me përdorimin e inteligjencës artificiale, duke i shtuar një tjetër dimension sigurisë në institucionet arsimore.
“Kjo nënkupton shumë siguri, jo vetëm për nxënësit, por edhe qetësi për prindërit e këtyre nxënësve”, theksoi ministri.
Lamallari nënvizoi se teknologjia nuk do të zëvendësojë praninë fizike të Policisë së Shtetit në shkolla, por do të kombinohet me të për rritjen e sigurisë.
Në gjimnazin “Qemal Stafa” aktualisht shërbejnë dy oficerë policie, të cilët do të vijojnë të jenë pjesë e masave të sigurisë edhe gjatë vitit të ri shkollor.
“Kjo i shtohet përpjekjeve të qeverisë shqiptare, krahas oficerëve të policisë në shkolla”, tha Lamallari, duke theksuar se përdorimi i teknologjisë dhe prania policore do të funksionojnë së bashku për garantimin e sigurisë në institucionet arsimore.





