Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka paralajmëruar mosregjistrimin në zgjedhjet vendore të partisë më të madhe opozitare në vend. I pyetur nga gazetarët se cilin grup të PD-së do të regjistrojë në zgjedhje, atë të Sali Berishës apo atë të Enkelejd Alibeajt, Celibashi tha se duhet të zgjidhin këtë ngrëç që kanë mes tyre pasi rrezikon që asnjë palë të mos marrë pjesë në zgjedhje.
Celibashi u tregua i prerë, duke thënë se nuk i takon KQZ që të zgjidhë luftën mes dy kampeve demokratike, por për të gjetur një zgjidhje duhet të angazhohen të gjitha palët, si aktorët institucionalë edhe ata politikë.
“Për ne ka një PD, është një person juridik. Ngelet për tu parë se kush e ka tagrin për të vepruar në emër të PD. Do ishte mirë që kjo çështje të ishte zgjidhur. Flitet për një parti kryesore të opozitës dhe unë mendoj se sa s’është vonë gjithkush që në një mënyrë apo një tjetër që mund të kontribuojë në zgjidhjen e kësaj situate.
Do të duhet të angazhoheni për të gjetur një zgjidhje, s’mund të bëjmë sikur s’po ndodh asgjë, pasi partia kryesore e opozitës mund të mos regjistrohet. Gjithsesi, do të duhet që secili prej faktorëve institucionalë dhe politik të angazhohet për këtë proces, nuk mund ta injorojmë, të shohim çfarë vendos KQZ dhe të veprojmë.”- tha ai.
Në një kohë kur ende nuk ka një vendim se kë do të regjistrojë për garën elektorale të 14majit, Celibashi thotë se KQZ njeh vetëm një PD, që është një person juridik. Për këtë ai u shpreh se do të marrin në shqyrtim të gjitha dokumentet për të dalë më pas në konkluzionin se kush ka të drejtë të veprojë në emër të PD-së. Këtu, Celibashi nënkupton që KQZ do të marrë në shqyrtim regjistrin e Partive Politike, vendimin e Agron Zhukrit që i ka dhënë partinë Sali Berishës, por nga ana tjetër edhe ankimin që ka bërë grupi i Enkelejd Alibeajt kundrejt vendimit të Zhukrit.
Sa i përket listave me anëtarët për KZAZ-të të depozituar nga Berisha dhe Alibeaj, Celibashi tha se ka nisur procesi i verifikimit i dokumentacionit.
Ndërkohë, Celibashi njoftoi se votimi dhe numërimi elektronik për zgjedhjet vendore 2023 do të implmenetohet në Vorë, Elbasan dhe Kamëz. Vendimi u miratua ditën e sotme pasi Këshilli i Ministrave miratoi fondin 800 mln lekë për të impelementuar këtë projekt pilot. Pra, për garën elektorale të 14 majit nuk do të jetë vetëm Vora zonë e votimit elektronik, ashtu si në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit të vitit 2022. Ky projekt pilot do të aplikohet në 335 qendra votimi, konkretisht në KZAZ-të 47, 48, 49 dhe 50 në Elbasan, KZAZ-të 27 dhe 28 në Kamzë dhe KZAZ 26 në Vorë. Kujtojmë se ky projekt u aplikua për herë të parë në zgjedhjet e 25 prillit të 2021-shit në njësinë nr.10 në kryeqytet.
‘Lufta’ mes PD-së
Mbetet për t’u parë nëse Ilirjan Celibashi do të veprojë njësoj si në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, kur i mbylli derën Sali Berishës pasi mori vendimin që të njihte përfaqësuesit ligjorë të Lulzim Bashës. Kjo detyroi Berishën që të bashkëpunonte me LSI-PDK, të cilët krijuan koalicionin “Shtëpia e Lirisë” dhe futën në garë kandidatët e zgjedhur nga ish kryeministri.