SPAK jep informacion zyrtar për arrestimin e kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla dhe 10 personave të tjera. Sipas SPAK, gjatë procedurës së prokurimin publik me procedurë të hapur me objekt “Ndërtimi i rrjetit të furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ, Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë të tenderit në shumën 322.439.000 lekë të reja në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë, dhe punonjësit e tjerë, si specialiste e prokurimeve, anëtarët e KVO, kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte me dokumentacion BOE Egland shpk dhe BE-IS shpk, duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit.
Në një kohë që nga hetimi ka dyshime të arsyeshme të bazuara, se punimet janë kryer nga OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 9 të vitit 2022, për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”,“Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikim i formularëve”, parashikuar nga nenet 258 paragrafi i dytë, 248, 186/2,3 , 190/1 të Kodit Penal.
Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të alternuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit.
Në analizë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë moment, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit nën hetim Lefter Alla, Enkeleda Lleshi, Rubin Kola, Erion Isaku, Leonard Daci, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Rasim Daci, Dalo Gazidedja, Aqif Konesha në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë konsumuar veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal, shtetasit L. A. dhe E. Ll. në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë konsumuar veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, shtetasit R. D., A. K., A. N., D. G. në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë konsumuar veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” parashikuar nga neni 186/2,3 i Kodit Penal, ndërsa shtetasi K. I. ka konsumuar veprën penale “Falsifikim i formularëve” parashikuar nga neni 190/1 i K.Penal.
Nga hetimi ka rezultuar se për shtetasin nën hetim L. A. me detyrë Kryetar Bashkie me funksionin e tij si i zgjedhur vendor për të administruar konform ligjit Njësinë vendore Bashkinë Bulqizë evidentohet qartësisht sjellja e tij duke dokumentuar disa fakte penale si shkeljet gjatë procedurës së prokurimin publik me procedurë të hapur në datë 30.04.2021, operatorëve ekonomikë “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k, me objekt “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë të tenderit në shumën 322.439.000 lekë të reja, me afat kohor 10 mujor. Ky shtetas nën hetim në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë, dhe punonjësit e tjerë, si specialiste e prokurimeve, anëtarët e KVO, kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte me dokumentacion BOE Egland shpk dhe BE-IS shpk, duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit. Në një kohë që nga hetimi ka dyshime të arsyeshme të bazuara, se punimet janë kryer nga OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.
Kjo procedurë prokurimi dyshohet që është iniciuar dhe zhvilluar në kundërshtim me LPP dhe aktet nënligjore dhe nga AK Bashkia Bulqizë, konkretisht nga të hetuarit me veprime aktive që konsistojnë në ngritjen e një mekanizmi të posaçëm, për nxjerrjen fituese të një firme në lidhje me procedurën e prokurimit të zhvilluar nga Bashkia Bulqizë. Aktet deri në këtë fazë të hetimit njoftojnë se të hetuarit i) miratuan kritere për të favorizuar një firmë pjesëmarrëse në tender ii) firma pjesëmarrëse në prokurim paraqiste vetëm dokumentacionin, ndërkohë punimet realizoheshin nga i hetuari (A. K.), i cili rezultoi lidhje e afërt e Kryetar i Bashkisë (L. A.).
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.21 datë 14.03.2023 ka caktuar masat e sigurimit “arrest në burg” për shtetasit:
Lefter Alla, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”,parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Enkeleda Lleshi, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”,parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Rubin Kola, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
Erion Isaku, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
Leonard Daci, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2e 25 i Kodit Penal.
Arsen Gjoka, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve ne tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
Kujtim Zogu, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
Denis Xholi, si person i dyshuar për kryerjen e veprës“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
Rasim Daci, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/2,3 i Kodit Penal.
Dalo Gazidedja, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga nenet 186/2,3 të Kodit Penal.
Aqif Konesha si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”,parashikuar nga neni 186/2,3 i Kodit Penal.
Gjithashtu me vendimin nr.21 datë 14.03.2023 Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, për shtetasit:
Kastriot Ibrahimaj, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i formularëve”,parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.
Ana Nishku, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve”, parashikuar nga nenet 186/2,3 të Kodit Penal.
Policia e Shtetit ka ekzekutuar në datën 16.03.2023 masat e sigurimit të caktuara nga Gjykata me vendimin nr.21 datë 14.03.2023.
Gjithashtu në zbatim të vendimit nr.124 dt 15.03.2023 Policia Gjyqësore Pranë Policisë së Shtetit ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe zyra të subjekteve të hetuar dhe të tjerë.