Katër të miturit e përfshirë në vrasjen e 15-vjeçarit Fatjon Bici janë lënë në burg sot. Vendimi është marrë nga gjykata, me kërkesë të prokurorisë, pas marrjes së tyre në pyetje. Të rinjtë kanë treguar versionin e tyre të ngjarjes. Vetë autori, E.K., është shprehur se Bici që e identifikojnë si ‘kaçurrelsi’ e ka qëlluar me grusht në fytyrë. Në ato çaste, autori, gjithashtu 15 vjeç thotë se ka nxjerrë thikën dhe e ka qëlluar direkt.
Ata janë shprehur se kanë paguar mësuesin e tyre nga 100 lekë të reja në mënyrë që ai t’i çonte nga Driza në Gramsh për të zhvilluar takimin sqarues. Tre shokët e E.K. kanë treguar se ishin zënë tre muaj më parë tek fusha e lodrave tek makinat elektrike në qytetin e Gramshit. Njëri prej tyre thotë se sa herë që shkëmbeheshin, nuk kursenin të sharat, ndaj vendosën që të sqaroheshin.
Kështu pas mësimit në shkollën 9-vjeçare në fshatin Drizë, tre shokët kanë shkuar me makinën e mësuesit në qytetin e Gramshit ku janë takuar më pas me E.K.. Ky i fundit kishte dhe thikën me vete. Më pas kanë shkuar tek shkolla “Asllan Shahini” dhe kur kanë arritur atje kanë parë djalin me të cilin kanë pasur konflikte bashkë me shokët e tij.
Shokët tregojnë se sapo janë takuar, një prej djemve që ishte në grup me Bicin e kushëririn e tij, Marko Liçi, e ka sharë autorin e ngjarjes. Më pas E.K., ka nxjerrë thikën dhe kështu ka nisur përleshja mes tyre. Ai ka qëlluar Bicin dhe një tjetër gjithashtu, ndërkohë që të tjerët janë përleshur me grushte e me dorëza hekuri. Bici mori nëj goditje në kurriz që i depërtoi në zemër dhe i mori jetën. Ndërsa kushëriri i tij, Marko Liçi, kushëriri i tij është ende në spital.
Dëshmitë:
O.Ç: Me vete ka patur, pasi e kishte marrë që në mëngjes në shkollë, një dorezë hekuri ngjyrë gold, Xh.Ç kishte marrë me vete një dorezë hekur ngjyrë gold, ndërsa E.K kishte marrë me vete thikë që hapej me buton dhe një palë dorashka boksi ngjyrë të zëzë të cilat i kishte të vetat, ndërsa, S.M. kishte marrë me vete thikë që hapet me dorë dhe një dorezë hekuri. Sapo janë afruar, ka filluar të komunikojë me Q.H për të sqaruar debatin, ndërsa njëri nga çunat e Q.H ka sharë E.K nga ropt e shpisë. Ishte me flokë kaçurrela. Ai ka goditur E.K., me grusht në fytyrë, pikërisht në këtë moment që ky person goditi Ergin me grusht në fytyrë kam parë që E.K., kishte në dorën e djathtë të tij thikën me buton me hapje ngjyrë gri, ku pasi ky person e goditi E.K me grusht në fytyrë dhe tentoi të largohej atëherë E.K menjëherë e goditi me thikën në kurriz. Pas këtij veprimi, një nga personat e grupit tjetër ka goditur S.M me grusht në bark. Nuk mbaj mend nëse S.M. ka goditur njeri apo jo, por kam parë vetëm që S.M u godit me grusht në bark.
Xh.Ç.: Rreth 5 muaj më parë, Q.H bashkë me shokët e tij, e ka sharë atë dhe O.Ç., ku këtë të fundit e ka sharë nga familja. Sqaron se ky konflikt ka ndodhur edhe njëhërë tjetër para më shumë se pesë muajsh. Sot kur ishin duke bërë xhiro, Q.H ishte bashkë me shokët e tij, që ishin shumë persona bashkë. Ata janë mbledhur para tyre dhe kanë folur duke i thënë që “Pse keni ardhur përsëri apo doni të ziheni me ne?”. Pikërisht në këtë momente ata filluan që t’i godisnin me grushte, ku është bërë një rrëmujë”, tha Xh.Ç.
S.M.: Kur jemi afruar te grupi i djemve, shoku i tyre E.K., ka veshur dorashkat, është çuar nga stoli, ka nxjerrë nga xhepi një thikë me ngjyrë të bardhë dhe blu e cila hapej me anë të një butoni dhe na është drejtuar duke thënë “kush kishte sherr me O.Ç.. O.Ç po përpiqej të sqaronte muhabetin me Qetsorin. Pasi folën pak erdhi një djalë me flokët kaçurrela dhe ju drejtua Ergit duke i thënë “pse e nxore thikën apo për presion” dhe e shau E.K, ndërsa E.K ju kthye duke e goditur me thikë diku në pjesën e barkut, ndërsa atij i ka ardhur një djalë tjetër, i cili e ka gjuajtur me grusht në bark dhe ai i është kundërpërgjigjur po me grusht sepse dorezën e kisha në xhep. Në atë moment ka parë E.K., i cili po përpiqej të gjuante një djalë tjetër me thikë por ky i fundit është larguar duke vrapuar. Kapa E.K dhe i thashë “Hajde ç’farë bën ashtu” dhe u larguam me vrap në drejtim të Urës së Trashovicës. Gjatë rrugës më tregoi thikën e gjakosur, të cilën nuk ia kisha vënë re. Më tha “më duket se i gjuajta atij çunit”. Kur na kapi policia, E.K., e kishte hedhur thikën e gjakosur në tokë.