13.5 C
Tiranë
Thursday, November 28, 2024
spot_img

Basha mban fjalimin e tij në asamblenë e KIE: “Ajo që ndodhi në Kosovë nuk është një incident i izoluar,terroristët janë trajnuar”

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka mbajtur sot fjalimin e tij në asamblenë e KIE. Basha u ndal tek sulmet e fundit në Izrael, të cilat i cilësoi si terroriste dhe si armiqësore ndaj mënyrës evropiane të jetesës.

Ai dënoi aktet e terrorit nga Hamasi të cilat shkaktuan viktima të shumta të pafajshme.

Gjithashtu ai foli edhe për aktet terroriste më 24 shtator në veri të Kosovës. Për Bashën incidenti në Banjskë nuk duhet trajtuar si i izoluar, pasi kemi të bëjmë me një skenar të ngjashëm me atë të Krimesë në 2014.

Për të këto sulme inspirohen nga Moska e cila ka vetëm 1 qëllim: destabilizimin e Ballkanit perëndimor dhe zhtyjen e tij në kaos.

FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË ASAMBLENË PARLAMENTARE TË KIE
Zoti President,
Anëtarë të Asamblesë,
Në vazhdën e sulmeve tronditëse terroriste të së shtunës së kaluar në Izrael, mund të shihet qartë sesi forcat armiqësore ndaj mënyrës evropiane të jetesës, po përdorin një sërë metodash dhe grupesh
terroriste për të nxitur konfliktin dhe për të mbjellë destabilitet.
Teksa flasim, të gjithë sytë dhe veshët janë në Izrael, ku aktet barbare të terrorit nga Hamasi kanë shkaktuar viktima të shumta të pafajshme. Mendimet dhe lutjet e mia janë me viktimat e pafajshme dhe familjet e tyre, duke u uruar shërim të shpejtë të plagosurve. Shqipëria dënon ashpër sulmet terroriste dhe ne qëndrojmë pranë popullit dhe shtetit të Izraelit në këtë kohë kritike për kombin e tyre dhe për
sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Në zemër të Evropës, një sulm i ngjashëm terrorist ishte planifikuar gjithashtu.
Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Kosovë ju ka rënë edhe një herë kambanave të alarmit, jo vetëm për paqen e brishtë në Ballkanin Perëndimor por në të vërtetë për arkitekturën e sigurisë në Evropë.
Ajo që ndodhi në Kosovë nuk është një incident i izoluar. Terroristët janë trajnuar në baza
ushtarake në Serbi, armët janë kontrabanduar në Kosovë prej muajsh, me qëllim që të provokojnë një skenar të ngjashëm me atë të Krimesë në 2014.
Nuk ka dyshim se asgjë e këtyre përmasave nuk mund të ndodhë pa implikimin e autoriteteve shtetërore në Serbi. Dhe as ky nuk është i vetmi operacion për të ndyshimin e kufive në të cilin është përfshirë aktualisht Serbia.
Stimulimi dhe motivimi për
secesionin e Republika Srpska, përpjekja për të kontrolluar infrastrukturën politike të Malit të Zi dhe përdorimi i strukturave të armatosura paraushtarake në Kosovë për të orkestruar marrjen me dhunë të një pjese të territorit të një shteti të pavarur, të gjitha bëjnë pjesë në strategjinë e shtetit serb për të diktuar në terren një realitet të ri, të cilin liderët e Beogradit kanë filluar ta etiketojnë publikisht si Bota Serbe.
Është një përpjekje për të
detyruar ndryshimin e kufijve përmes ndarjeve de facto dhe rrëmbimit të territorit. Rezultati përfundimtar do të përmbyste arkitekturën e sigurisë euro-atlantike të Evropës Juglindore dhe do t’i jepte një goditje potencialisht vdekjeprurëse paqes dhe stabilitetit në Evropë.
As Serbia dhe as serbët nuk do të ishin përfituesit e vërtetë. Larg kësaj, ata do të pësonin humbje të tmerrshme dhe poshtëruese teksa do të përdoreshin si gurë shahu në një lojë të ideuar dhe
orkestruar nga Moska me një strategji të qartë: Destabilizimin dhe zhytjen e Ballkanit Perëndimor në kaos – minimin e krahut juglindor të NATO-s dhe hapjen e një fronti të ri në zemrën e Aleancës kundër luftës së paligjshme pushtuese të Rusisë në Ukrainë.
Thirrja ime është që anëtarët e BE-së dhe NATO-s të mos e nënvlerësojnë apo të zvarritin trajtimin e këtij kërcënimi serioz. Nevojitet një hetim ndërkombëtar për atë që ndodhi
më 24 shtator, i ndjekur nga masa të avancuara kundër Serbisë. Shtetet anëtare të BE-së nuk mund të veprojnë sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe të vazhdojnë të ushqejnë me paratë e taksapaguesve evropianë një makineri shtetërore që punon për destabilizimin e rajonit dhe mbarë Europës.
Kosova në anën tjetër ka dëshmuar se institucionet e saj të sigurisë janë në përputhje me standardet e NATO-s, të afta për të mbrojtur jetën, sigurinë dhe
lirinë e qytetarëve të saj.
Katër vendet e mbetura të NATO-s duhet ta njohin Kosovën, si një kontribut për paqen në Evropë dhe të hapin rrugën për përfshirjen e saj në Partneritetin për Paqe dhe anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT