9.5 C
Tiranë
Saturday, November 23, 2024
spot_img

Masat e Policisë së Shtetit për zgjedhjet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë/ Deklarata e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

Nëndrejtori i Policisë së Shtetit Albert Dervishaj, në një deklaratë për mediat, theksoi se policia kalon në gatishmëri dhe shërbim të përforcuar për zgjedhjet e 25 prillit.

Deklaratë e Albert Dervishaj – Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash për sigurimin e zgjedhjeve dhe për të garantuar një proces votimi sa më të qetë për të gjithë votuesit, masa të cilat janë ndjekur dhe po zbatohen në të gjitha fazat e zhvillimit të këtij procesi. Përgatitja e këtyre masave ka filluar që në muajin dhjetor 2020, me hartimin e detyrave në Programin e Punës, përgatitjen e Urdhrave të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të planeve të masave dhe të bashkëveprimit dhe dokumente të tjera që kompletojnë masat tona dhe zbatimin e detyrave institucionale për procesin zgjedhor.
Deri tani, detyrat e parashikuara nga Policia e Shtetit janë kryer me përgjegjësi të plotë. Jemi në fazën më të rëndësishme të periudhës zgjedhore e për rrjedhojë edhe të zbatimit të detyrave tona, prandaj të gjithë strukturat qendrore dhe vendore të Policisë kalojnë në gatishmëri “Shërbim të Përforcuar”, për të ndjekur me vlerësim të plotë masat e planifikuara për sigurimin e rendit publik dhe sigurimin e zgjedhjeve sidomos duke filluar nga dita e shtunë dhe në vijim.
Policia e Shtetit, deri në datën 22.04.2021 ka angazhuar 8.049 punonjës policie dhe ka garantuar 3.429 aktivitete elektorale të zhvilluara gjatë fushatës edhe pse në kushtet e kufizimeve për shkak të pandemisë së COVID-19. Sot përfundon shoqërimi nga strukturat policore i materialeve zgjedhore nga Tirana në drejtim të 92 KZAZ në të gjithë vendin dhe deri tani nuk është evidentuar asnjë problem.
Për shkak të disa ndryshimeve të Kodit Zgjedhor dhe akteve të KQZ-së, theks të veçantë mori trajnimi i 7.519 punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas hierarkisë së menaxhimit policor, deri tek niveli bazë i veprimit policor.
Për sigurimin e 5.199 Qendrave të Votimit dhe 92 KZAZ / VNV janë bërë përllogaritjet e punonjësve të Policisë, për transportimin me automjete, pajisje, armatim, radio-komunikim, ushqime etj., deri tek votimi i tyre si shtetas të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu janë prodhuar dhe dorëzuar në afat vulat e kërkuara nga KQZ: për KZAZ, QV, VNV etj.
Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, në datën 15 prill, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ, në afatin ligjor të përcaktuar, si institucioni që administron procesin zgjedhor:
• Listën me 5.427 punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë;
• Listën me 535 automjete të pauniformuara që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë.
Nga strukturat e disa njësive policore në Tiranë, Drejtorive Vendore të Kufirit e Migracionit dhe struktura të tjera policore, do të dërgohen 1.273 punonjës policie në funksion të procesit zgjedhor në disa Drejtori Vendore të Policisë, si dhe do të vihen në dispozicion 61 automjete për transportimin e tyre.
Është përgatitur dhe miratuar Urdhri i Përbashkët i Ministrit Brendshëm dhe Ministrit të Mbrojtjes, si dhe Urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për marrjen në ruajtje nga sot ora 14:00 dhe deri ditën e martë, të 74 objekteve të rëndësishme shtetërore, nga forcat “Komando”, pasi 228 punonjës të policisë që sigurojnë këto objekte, do të angazhohen me detyrë për sigurimin e objekteve zgjedhore.
Në zbatim të detyrimeve të përcaktuara në Vendimin nr. 12, datë 30.12.2020 të KQZ-së, është përgatitur dhe miratuar me Urdhrin e DPPSH nr. 53/4, datë 27.01.2021 Regjistri i Posaçëm “Për çdo njoftim dhe referim të veprave penale në fushën zgjedhore”, i cili administrohet prej fillimit të procesit zgjedhor nga çdo Komisariat Policie, DVP, si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe është i aksesueshëm nga KQZ dhe subjektet elektorale.
Nga informacionet e strukturave vendore të policisë, si dhe ndjekja e situatës për procesin zgjedhor, deri në datën 21.04.2021 gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore dhe aktiviteteve elektorale janë evidentuar:
• 30 referime në prokurori për vepra penale që lidhen me zgjedhjet.
• 6 njoftime të ndryshme që lidhen me zgjedhjet.
Nga strukturat policore, në bashkëpunim me Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore dhe Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë trajtuar dhe po hetohen me përparësi veprat penale që lidhen me procesin zgjedhor, që prekin zgjedhjet e lira, sistemin demokratik të zgjedhjeve dhe kryesisht me shitblerjen e votës.
Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare të OSCE/ODIHR, të cilat monitorojnë zgjedhjet, ka qenë permanent. Me Prezencën e OSCE në Shqipëri, por edhe me disa institucione shqiptare si KQZ dhe Prokurorinë e Përgjithshme, kemi zhvilluar trajnimet e punonjësve të policisë për procesin zgjedhor, të cilat kanë kontribuar edhe me lektorë të fushës.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri na ka mbështetur në procesin e trajnimeve, por edhe për financimin e 5.500 kopjeve të “Librit të Xhepit” dhe 50 kopje të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë shpërndarë në të gjithë strukturat për punonjësit e policisë.
Lidhur me vëzhguesit afatgjatë të OSBE/ODIHR është siguruar e organizuar puna në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, që të kenë akses, të koordinojnë dhe monitorojnë masat lidhur me procesin zgjedhor.
Janë përcaktuar koordinatorët e Policisë së Shtetit me institucionet ndërkombëtare, nëpunësi ndërlidhës i saj me KQZ-në, si dhe jemi në plotësim të detyrimeve, duke bashkëpunuar ngushtë me këto institucione.
Gjatë periudhës zgjedhore dhe deri tani nuk kemi raste që punonjës të Policisë së Shtetit, të jenë evidentuar në shkelje të kërkesave ligjore, të kenë kompromentuar pozicionin si punonjës të depolitizuar, apo të kenë reflektuar qëndrime të njëanshme apo politike, duke iu referuar ligjit dhe vetëm ligjit. Nuk ka filluar asnjë hetim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale për punonjësit e Policisë së Shtetit, në lidhje me zgjedhjet.
Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në gjithë periudhën zgjedhore është ngritur dhe funksionon grupi i drejtimit në nivel qendror, për menaxhimin e masave të sigurisë për procesin zgjedhor, me qëllim vlerësimin e çdo informacioni nga të gjithë burimet, verifikimin, analizimin dhe ndjekjen e tij.
Është në funksion aplikacioni për raportimin dhe monitorimin e masave të Policisë së Shtetit për ruajtjen e objekteve zgjedhore, për punonjësit e policisë për çdo qendër votimi dhe nën përgjegjësinë e Grupit të Drejtimit në DPPSH do të ndiqen online këto masa, do të realizojmë komunikim dhe bashkëpunim në kohë reale me Grupet e Drejtimit të Drejtorive Vendore të Policisë, me qëllim njohjen e situatës dhe dhënien e detyrave.
Vendimi nr. 9, datë 24.12.2020, përcakton disa detyra të reja si përcaktimi i një personi kontakti për të raportuar në ndërfaqen e KQZ-së, aktivitetet e zhvilluara në strukturat e Policisë së Shtetit. Deri tani janë zhvilluar 5 aktivitete, kryesisht për trajnimet për zgjedhjet dhe donacione të ndryshme.
Gjithashtu në zbatim të këtij Vendimi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me urdhër nr. 257 datë 12.03.2021 ka ngritur Grupin e Punës dhe ka miratuar Rregulloren e Brendshme për mbikëqyrjen e sjelljes së nëpunësve civilë të cilët janë personel i Policisë së Shtetit, gjatë periudhës së fushatës elektorale për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë, për të cilët deri tani nuk është evidentuar ndonjë shkelje.
Lidhur me detyrat në këtë fazë të procesit zgjedhor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u ka dërguar vazhdimisht udhëzime drejtuesve qendrorë dhe vendorë të Policisë së Shtetit, nëpërmjet të cilit ka kërkuar angazhim maksimal dhe profesional të të gjitha strukturave policore në bazë dhe në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, Kodin Zgjedhor dhe aktet e tjera normative, duke kryer veprime të shpejta dhe profesionale në bashkëpunim me Prokurorinë në rastet kur ka kallëzime penale, për të ruajtur gjakftohtësinë në çdo situatë dhe rrethanë dhe për një komunikim me etikë policore, duke theksuar se në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, kontrolli i territorit, i automjeteve, personave etj., është atribut vetëm i Policisë së Shtetit dhe jo i subjekteve apo organizimeve të tjera.
Rikujtoj detyrimin e Kodit Zgjedhor, se datat 24 dhe 25 prill 2021 janë ditë të “heshtjes zgjedhore”, dhe si të tilla nuk duhet të zhvillohen aktivitete politike nga subjektet politike, si takime, tubime etj.
Në zbatim të nenit 110 të Kodit Zgjedhor ndalohet qëndrimi, grumbullimi apo çdo veprimtari tjetër e personave të cilët nuk janë parashikuar nga ky nen, në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit dhe në afërsi të saj. Në bazë të Vendimit Nr. 12 të KQZ-së ndalohet përdorimi i materialeve propagandistike në qendrën e votimit dhe rreth saj në një rreze prej 150 m. Këto materiale lejohen vetëm në një largësi deri 5 metra nga zyra zgjedhore e partisë politike apo subjektit zgjedhor përkatës.
Në nenin 154 të këtij Vendimi përcaktohet se në mjediset jashtë qendrës së votimit, në oborrin e ndërtesës, në hyrje të saj dhe në korridoret e brendshme të ndërtesës dhe rreth QV, si dhe në një rreze prej 150 m, referuar shenjave dalluese, nuk lejohet prania apo grumbullimi i personave, përveç zgjedhësve që presin në radhë për të votuar.
Sqaroj se Policia e Shtetit, në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe Vendimin nr. 12, datë 30.12.2020 të KQZ “Për miratimin e rregullave të veprimtarisë së Policisë së Shtetit në shërbim të zgjedhjeve”, ka planifikuar masa të plota për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve zgjedhore, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në territor, ndërhyrjen për rivendosjen e rendit publik në QV apo VNV, shoqërimin e materialeve zgjedhore, referuar ligjit dhe procedurave standarde të KQZ.
Policia e Shtetit është e vendosur dhe do të vijojë punën e saj për të mbajtur nën kontroll të plotë territorin, do të reagojë ligjërisht dhe proporcionalisht duke përdorur të gjithë kompetencat e saj institucionale dhe forcën ligjore ndaj kujtdo që kërcënon, intimidon apo shkel ligjin apo tenton të shesë votën dhe do të krijojë të gjitha kushtet që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë dhe të qetë.
Ju faleminderit!

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT