Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje brenda burgut të sigurisë së lartë të Peqinit, ku Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në vitin 2015, ka kryer një vrasje tjetër ndaj Arben Lleshit dhe ka plagosur Indrit Shaqjan. Arben Lleshi, gjithashtu i dënuar me burgim të përjetshëm, vuante dënimin për vrasjen e Agim Hoxhës në Angli në vitin 2012, ndërsa Indrit Shaqja ishte i dënuar për vrasjen e dy të moshuarave në Durrës në vitin 2014.
Sipas detajeve të zbuluara vrasësi Sokol Mjacaj ka përdorur një pistoletë të futur brenda burgut për të qëlluar Arben Lleshin dhe Indrit Shaqjan nga dritarja e qelisë së tyre. Arben Lleshi humbi jetën në spital pas të qenit i plagosur në qafë dhe gjoks, ndërsa Indrit Shaqja u plagos në mënyrë aksidentale nga një plumb. Autori i ngjarjes është neutralizuar rreth një ore pas kryerjes së vrasjes.
Pas ngjarjes, Sokol Mjacaj izolohet në një ambient të burgut, ku ka bërë kërcënimet se do të vriste persona të tjerë nëse nuk i garantohet jeta. Forcat policore dhe Forcat Speciale RENEA janë dërguar në burgun e Peqinit për të menaxhuar situatën dhe siguruar arrestimin e vrasësit. Autori ka negociuar me drejtorin e burgut dhe drejtorin e përgjithshëm të burgjeve, duke hedhur armën dhe lidhur veten me pranga në qelinë e tij për t’u arrestuar.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar ndaj ngjarjes duke shprehur ngushëllime për familjen e dënuarit të vrarë dhe duke garantuar se personeli policor nuk ka patur cënim gjatë aksionit. Hetimet për ngjarjen vazhdojnë për të zbuluar më shumë detaje rreth dinamikës së vrasjes dhe motivit të vrasësit.
Keta janë 3 protagonistë e djeshëm.
Sokol Mjacaj
Sokol Mjacaj ka vrarë dy turistët çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, më 3 korrik 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit. Mjacaj i grabiti dy të rinjtë e më pas i ekzekutoi me armë zjarri në automjetin e tyre. Pas kryerjes së krimit Mjacaj u largua nga vendngjarja dhe u ul në një kafene të fshatit për të porositur kafe. I tha kamerierit të lokalit se kishte një aparat fotografik për të shitur për 5000 lekë. Kamerieri ka këmbëngulur se nuk e blen me atë çmim pasi aparati ishte i thyer dhe i shitur. Ai ka dhënë vetëm 500 lekë Mjacajt, më pas ky i fundit u largua në drejtim të paditur. Sokol Mjacaj u arrestua dy ditë më pas m2 5 korrik 2015. Më 5 korrik 2022 Gjykata e Lartë laë në fuqi dënimin, burg përjetë për Sokol Mjacajn. Ky dënim ishte dhënë nga Gjykata e Apelit të Shkodër në 2018
Indrit Shaqja
Indrit Shaqja, i dënuari i dytë i përfshirë në përplasje është gjithashtu i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 2 të moshuarave, Elsa Vava 72 vjeç dhe Gjinovefa Vava 77 vjeç, kunata me njëra-tjetrën. Shaqja në bashkëpunim me Velson Elmazin nga Elbasani dhe Artur Kaçanollin nga Shijaku në datën 2 shtator 2014 kanë hyrë në banesën e dy kunatave, të moshuarave Elsa Vava 72 vjeç dhe Gjinovefa Vava 77 vjeç, për të vjedhur sende më vlerë dhe para, por kanë hasur kundërshtinë e të moshuarave dhe për këtë ata kanë nisur t’i torturojnë deri në vdekje viktimat, të cilat u gjetën nga policia të lidhura dhe mbytura me qese plastmasi në kokë në shtëpinë e tyre në lagjen nr.11 të Durrësit mbrëmjen e 2 shtatorit 2014. Ato jetonin së bashku në banesën e vjetër dykatëshe në një nga lagjet kryesore të Durrësit.
Arben Lleshi
Arben Lleshi është i dënuari i tretë i përfshirë në përleshjen që ka ndodhur në burgun e Peqinit. Ai është dënuar për vrasjen e bashkëkombësit të tij Agim Hoxha në Sauthempton. Ngjarja është shënuar më 10 prillin 2013 kur Arben Lleshi 27 vjeç, i njohur si shpërndarës droge në Angli, dogji të gjallë brenda në makinën e tij Agim Hoxhën 29 vjeç në Sauthempton të Anglisë.
Më konkretisht viktima Arben Lleshi i cili u ekzekutua nga Sokol Mjacaj ditën e djeshme brenda qelisë së tij, në burgun e Peqinit, vuante dënimin përjetë për vrasjen e Agim Hoxhës dhe djegien e trupit të tij, të ndodhur në vitin 2012. Ai u kap në Angli dhe më pas u ekstradua në Shqipëri ku u dënua me burgim të përjetshëm. Në pranga ra edhe vëllai i tij, i cili e kishte ndihmuar në djegien e trupit të Agim Hoxhës dhe zhdukjes së provave. Pas kësaj vazhdoi saga e vrasjeve dhe rrëmbimeve në fisin Lleshi. Në 30 tetor të vitit 2013, u ekzekutua me armë zjarri Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit.
Në 15 maj 2016 u vra Hajredin Lleshi në fshatin e lindjes në Burrel, i cili është vëllai i Xhavitit. Ndërkohë që në 2017 u rrëmbye Artan Lleshi, djali i Hajredinit, të cilin e morën me një makinë në Burrel dhe e sollën në Kamëz, ku është parë për herë të fundit dhe u zhduk. Ndërsa në datë 5 gusht 2020 u zhduk edhe Klevis Lleshi 21-vjeç. Ai sapo ka dalë nga shtëpia për kafe, e rrëmbyen dhe u zhduk. Dyshohet se Klevisi kishte nisur të fliste për hakmarrje ndaj familjes Hoxha dhe pas këtyre fjalëve ka ndodhur rrëmbimi i tij. Ende sot e kësaj dite 3 vite pas zhdukjes, nuk dihet asgjë për fatin e tij. Pra bilanci i viktimave në familjen Lleshi është 2 të vdekur dhe 2 të zhdukur. Aktualisht në shtëpinë e Xhavit Lleshit është vetëm nëna e tij dhe tre motrat që janë martuar në Burrel. Ndërkohë që pas përleshjes në burg gjatë ditës së djeshme u vra edhe Arben Lleshi.