Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një takim me përfaqësues të sistemit bankar dhe industrisë së re Fintech, ku ka diskutuar nevojën për modernizimin e shtetit në digjitalizimin e shërbimeve financiare. Rama ka nxitur bankat të ndërtojnë dhe përmirësojnë teknologjinë dhe shërbimet e tyre.
Kryeministri theksoi se Shqipëria nuk duhet të mbetet e mbyllur karshi inovacionit në sektorin bankar dhe duhet të përqendrohet në përdorimin më efikas të teknologjisë. Ai shprehu shqetësimin e tij për volumin e lartë të parave cash në qarkullim dhe shpenzimet e larta për prodhimin e letrës së parave.
Edi Rama kërkoi që bankat të përdorin teknologjinë dhe inovacionin për të përmirësuar shpejtësinë dhe efikasitetin e transaksioneve, duke shpresuar që Shqipëria të bëhet një vend pa cash. Gjithashtu, ai theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të protokolleve të open banking nga të gjitha bankat e nivelit të dytë.
“Nuk mund të jemi një vend që mbetet shumë i mbyllur karshi inovacionit në sistemin banker. Nuk mund të jemi një vend që mbetet ende shumë i kapur në një boshllëk midis mënyrës se si është i ndërtuar dhe funksionon sistemi ynë financiar.
Që vazhdon me një volum cash-i të papranueshëm në qarkullim, duke pasur ndërkohë një shpenzim shumë të lartë të vetë prodhimit të letrës së parasë, nuk mundet të jemi një vend që kërkon formalizimin e ekonomisë në rrugët tradicionale të inspektimeve fizike dhe të gjobave që kanë rezultuar në të shumtën e herës metodë e pa suksesshme.
Nuk mund të jemi një vend ku bankat mbeten ende shumë larg nevojës së ekonomisë kur vjen puna tek shpejtësia, eficenca e transaksioneve që për ta thënë me një fjalë të vetme edhe pagesat direkte janë në të shumtën e rasteve me metoda tradicionale. Shipëria duhet të fokusohet dhe qeveria është shumë e fokusuar, por kjo nuk është vetëm një çështje e qeverisë tek inovacioni.
Dhe faktikisht ne jemi në situatën kur ligji, jo unë, e ka të shkruar e zeza mbi të bardhë që në janar të këtij viti, duhet të ishte zbatuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë aplikimi i protokolleve të open banking. Dhe Janari ishte një afat i përsëritur dhe i dhënë për herë të parë. Më kujtohet kur kemi bërë së bashku me Delinën bisedën me bankat e nivelit të dytë për sigurinë kibernetike, kur kemi folur për domosdoshmërinë e marrjes seriozisht të kërcënimit kibernetik dhe u desh të ndodhte që pastaj bankat të viheshin në lëvizje.
Kemi një sistem bankar që virtytet po të sistemit tradicional , tanimë nuk jemi më në listën gri dhe kemi të gjitha arsyet të kërkojmë me zë të lartë nga bankat që të jenë në lartësinë e kësaj sfide, që është sfidë e fortë e Shqipërisë. Shqipëria ka tre drejtime ku duhet të shkëlqejë në Evropë, jo vetëm në rajon: Turizmi, energji dhe inovacion, tre drejtimet ku ne mund të rrisim ekonominë. Nëse deri dje nuk e kishim bekimin e teknologjisë, sot jemi në një epokë të progresit eksponencial me një veprim x dhe në bazë të vendimi y të bazuar tek teknologjia, një vend mund të bëjë një kapëcim 100 vjet.
Bankat janë aty për të hapur dyert e zhvillimit, teknologjisë, Shqipërisë që të shkojë më përpara duke u kthyer nga një vend që ka përdorimin më të lartë të cash në ekonomi në një vend pa cash. Dhe kjo është plotësisht e mundur. Mendoj që është koha të merremi vesh shumë qartë për këtë, s’mund ta pranojmë më këtë situatë”, tha Rama.